Ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka rikujtuar se gjuetia është e ndaluar me ligj në territorin e Parqeve Kombëtare “Bjeshkët e Nemuna” dhe “Sharri”, me rastin e hapjes së sezonit të gjuetisë.
Sipas njoftimit të pacollit, për parandalimin e gjuetisë së kundërligjshme do të shtohen masat e monitorimit dhe kontrollit në të dy parqet kombëtare.
Për këtë qëllim, do të angazhohen rojet e parqeve, dronët dhe kamerat kurth, si dhe do të zhvillohen patrullime në terren në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe organet kompetente.
Pacolli ka theksuar rëndësinë e mbrojtjes së biodiversitetit dhe të kafshëve të egra, duke bërë thirrje për respektimin e ligjit dhe ruajtjen e natyrës.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të kontribuojnë në mbrojtjen e këtyre zonave të mbrojtura dhe të raportojnë rastet e gjuetisë së kundërligjshme.