​UP kundërshton xhaminë me 20 kupola të Selim Pacollit brenda Kampusit Universitar

Prishtinë | 28 Dhj 2017 | 18:41 | Nga

Objekti i Kishës Ortodokse në Kampusin Universitar nuk do të jetë i vetmi telash i UP-së. Së fundi, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, ka dalë me idenë që brenda kësaj zone të ndërtohet edhe një tjetër objekt fetar. Një xhami me 20 kupola. Megjithatë, diçka e tillë për Këshillin Drejtues të Universitetit “Hasan Prishtina” është e papranueshme.

Universiteti “Hasan Prishtina” ka nevojë për zgjerim të kampusit universitar, por ideja që zgjerimi të ndodhë krahas zhvendosjes së këtij kampusi në periferi është e papranueshme për drejtuesit e saj.

E zhvendosjen e kapusit universitar dhe administratës së saj në periferi të kryeqytetit po e synon që ta bëjë qeverisja Komunale e Prishtinës, përmes idesë së nënkryetarit të saj të ri, Selim Pacolli, që vjen nga AKR’ja.

Në vend të objekteve universitare, ai po do që të ndërtojë një xhami me 20 kupola.

“Kur kampusi të zhvendoset në periferi atëherë aty krijohet një zonë e lirë dhe në këtë zonë mund ta ngrisim një objekt kulti të komunitetit islam ashtu siç është katedralja. Është projekt supermodern me 20 kupola”, ka thënë zëvendësi i Shpend Ahmetit në një intervistë televizive, të mërkurën mbrëma.

Por, për realizimin e një ideje të tillë, që Pacolli po synon ta bëjë në Prishtinë, ky nuk është konsultuar fare me zotëruesit aktual të kësaj zone.

Këshilli Drejtues i UP’së ka bërë të ditur për Gazetën Express se UP’ja nuk është njoftuar e as konsultuar për një projekt të tillë. Gjithsesi, drejtuesit e UP’së thonë se një ide e tillë është e papranueshme për ta.

Ata thonë se kërkesa e tyre është që hapësira e kampusit universitar të lirohet edhe nga objekti i Kishës Ortodokse Serbe, e assesi të mos ndërtohet diçka tjetër që nuk është i destinuar për nevojat e UP’së.

“Për UP-në një projekt i tille është i papranueshëm dhe bie ndesh me kërkesat tona drejtuar organeve kompetente për lirimin e hapësirave universitare nga të gjitha objektet që nuk janë të destinuara për nevoja të studentëve, respektivisht për procesin mësimor, përfshirë këtu largimin e objektit të Kishës Ortodokse serbe”, thuhet në një përgjigje të UP-së për Gazetën Express.

“Besojmë që e kaluara historike e zhvillimit të UP-së dhe ndikimi i një zhvillimi të tillë në lirinë dhe pavarësinë që e gëzojmë, nuk do të lejoj askënd ta vendosë UP-në para një zgjedhje të tillë”, pohojnë të njëjtit.

Madje, Këshilli Drejtues i Universitetit “Hasan Prishtina” thonë se janë të indinjuar nga projekti i nënkryetari të Prishtinës, dhe se për një ide të tillë janë informuar përmes mediave.

“Ne e kemi të nevojshme zgjerimin e Kampusit Universitar me objekte të reja […] Kjo nuk nënkupton zhvendosjen e Kampusit Universitar në periferi, aq më tepër që shumë shembuj nëpër botë kanë treguar që Kampusi Universitar brenda një qyteti luan rol shumë të rëndësishëm edhe për zhvillimin ekonomik dhe kulturor të tij”, thotë përgjigja e Këshillit Drejtues të UP’së.

Selim Pacolli, më të nevojshme sesa kampus universitar në qendër të kryeqytetit të Kosovës, ka treguar se e sheh ndërtimin e xhamisë, pasi sipas tij besimtarët myslimanë në vend detyrohen që ritet fetare t’i kryejnë në rrugë, në mungesë të një xhamie të madhe.

“Unë jam praktikues i riteve të fesë islame dhe të premteve shumë besimtar i kryejnë ritet fetare në rrugë. Kjo nuk është e drejt andaj ne jemi të shtyer t’iu ofrojmë kushte të gjitha komuniteteve islame”, ka thënë ai në ‘Dukagjini’.

Nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës ka refuzuar të komentojë apo tregojë nëse do të përkrahet ideja e Pacollit.

“Kjo është kompetencë ekskluzive e Komunës së Prishtinës, që në bazë të ligjeve në fuqi vendos për ose kundër projekteve të tilla”, thuhet në përgjigjen për Express të Zyrës për Komunikim me Publikun të Kryeministrit Ramush Haradinaj, që ndër të tjera është pyetur se “a është i pranueshëm për Qeverinë një projekt i tillë”.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme