Organizata “Let’s Do It Kosova” dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, kanë bërë shpalljen e komunave fituese për grantin 1.2 milion euro dhe zgjedhjen e vullnetarëve të vitit nga fushata “Ta pastrojmë Kosovën”, raporton Ekonomia Online.
Komunat fituese për grantin 1.2 milionë euro janë zgjedhur 10 komuna. Nga 150 mijë euro kanë fituar katër komuna që janë: Ferizaj, Gjakovë, Kamenicë dhe Vushtrri.
Nga 100 mijë euro kanë fituar gjashtë komunat: Drenas, Gjilan, Prishtinë, Obiliq, Suharekë dhe Viti.
Komunat përfituese të kontinierëve dhe të shportave janë komuna e Junikut, Han Elezit, Podujevë, Istog, Skenderaj, Malishevë, Pejë, Rahovec, Lipjan, Shtime, Decan, Prizren e Mitrovicë.
Ndarja e mirënjohjeve u bë nga drejtori ekzekutiv i “Let’s Do It Kosova”, Luan Hasanaj dhe nga ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, Fatmir Matoshi.
Ndërsa, vullnetarët, Getoarba Prokshaj dhe Haki Shala ishin dy fituesit e vitit të fushatës “Ta pastrojmë Kosovën.
Prokshaj tha se ka qenë një eksperiencë e mirë që të vetëdijesohen njerëzit dhe të ruhet ambienti.
“Eksperienca më e mirë dhe gjithë angazhimi im është për një qëllim, për vetëdijesimin e njerëzve, mbrojtja e mjedisit dhe me arrit me e qu një vend në këmb më i bë të gjithë bashkë”, tha Prokshaj, raporton EO.
Po ashtu është bërë ndarja e mirënjohjeve për të gjithë bashkëpunëtorët që u angazhuan në këtë fushatë.
Përndryshe, këto dhjetë komuna të Kosovës janë treguar më efikase në eliminimin e mbeturinave dhe me anë të këtij granti komunat do t’i përdorin mjetet në projekte për mbrojtjen e ambientit për këto komuna.