Është nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Integrimit Evropian dhe Norvegjisë, për projektin përkrahës për ngritjen e kapaciteteve të shërbyesve civil për zbatimin e MSA-së.
Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, tha se qeveria norvegjeze po ndihmon Kosovën me fond prej 1.4 milionë euro për të ndihmuar në angazhimin e stafit civil, që të jenë të përgatitur dhe të angazhuar për marrëveshjen e MSA-së, raporton Ekonomia Online.
“Projekti apo nënshkrimi, është për projektin për përkrahjen e procesit të zbatimit të MSA-së për ngritjen e kapaciteteve te shërbyeseve civil, është përkrahje e rëndësishme sepse Kosova ka nevojë për afrimin dhe zbatimin më të madh të MSA-së, posaçërisht në kapitujt që projekti do na përkrah”, tha Hoxha.
“Ky projekt është i rëndësisë të veçantë për herë të parë ne si MIE, do menaxhojmë një projekt që përkrahet nga dy donator norvegjez dhe Luksemburgut, këta i kanë besuar Ministrinë së Integrimit Evropian dhe kanë dërguar përgjegjësi e zbatimit të projekteve. Këtë e shohim si ndihmesë por edhe si përgjegjësi shtesë dhe rikonfirmim që ministria e integrimit evropian gëzon përkrahje, kredibilitet edhe nga shtetet përkrahëse ne integrimin evropian”
Ajo tha se projekti do të zgjasë deri në vitin 2021.
“Ky projekt do të zgjasë nga vitin 2019 deri në vitin 2021 që kap shifrën prej 1.4 milionë euro”, tha ajo.
Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Per Strand Sjaastad, tha se fondi iu ka besuar komplet ministrisë së Integrimit Evropian pasi që Kosova duhet të ketë staf civil i cili do ndihmoj të ketë njerëz profesionist në çështjen e zbatimit të marrëveshjes së MSA-së.
“Në mënyrë që kjo të jetë e suksesshme, marrëveshja e MSA-së duhet të trajtohet në mënyrë te duhur dhe besoj se janë dy kritere primare qe duhet të vendosen që të bëhet efikasiteti dhe zbatueshmëria e mirë. Kriteri i parë është që ministrja Hoxha dhe kryeministri Haradinaj, të kenë koordinim të fuqishëm nga lart t’u ipen udhëzime të qarta ministrive që zbatimi i MSA-së është i rëndësishëm për progresin e Kosovës dhe kam besim se do t’a bëjnë dhe do kenë këtë koordinim të fuqishëm”, tha ai.
“Kriteri i dytë është se duhet të keni kapacitete të mjaftueshme dhe kompetenca në shërbimin civil dhe staf sepse zbatimi i MSA-së, është kompleks dhe i komplikuar duhen njerëz profesionit ta bëjnë këtë punë dhe qëllimi i zhvillimit të kapaciteteve njerëzore është ajo që të fuqizojmë kapacitetet dhe kompetencat e shërbimit civil që t’u ndihmohet të bëjnë punë të mirë”, tha Sjaastad.
Ai ka kërkuar nga ministrja e Integrimeve që të tregojë pjekuri dhe përgjegjësi që ta menaxhojë këtë fond.
“Ky projekt do menaxhohet nga vetë ministria. Ne i kemi dhënë besim të madh për këtë punë dhe besojmë se ministria mund ta kryej këtë punë, besojmë se ministria e integrimit evropian ka treguar përgjegjësinë dhe pjekurinë që mund ta menaxhoj këtë fond vet dhe besojmë se do të jetë projekt i suksesshëm qe do e qoj Kosovën drejt integrimit evropian”, shtoi Sjaastad.
Objektivat e projektit janë forcimi i kapaciteteve institucionale në fushat e acquis-së si dhe forcimi i kapaciteteve institucionale për përafrimin e legjislacionit në fushat e acquis-së.
Përfitues të këtij projekti janë Ministria e Integrimit Evropian, Ministria e Financave, Doganat e Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës, Banka Qendrore e Kosovës, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Infrastrukturës, Komisioni i Pavarur për Media, Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Zyra e Rregullatorit për Energji, Agjencia Kosovare për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe për Siguri Bërthamore, Agjencia e Statistikave të Kosovës, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Shëndetësisë si dhe Zyra Kombëtare e Auditimit.