Disa banorë të Shtimes sot erdhën në Prishtinë para hotelit “Grand” për të protestuar kundër marrjes së tokave për të cilat ata pretendojnë që janë të tyre e që sot sipas tyre AKP-ja i ka vendosur si asete në shitje, raporton Ekonomia Online.
Qytetari Hamit Smajli nga fshati Reçan, thotë se ata këto toka i kanë blerë nga kushërinjtë e tyre, por që nuk posedojnë dokumentacion se tokat janë në emër të tyre.
“I kemi dy hektarë i kemi ble qe 30 vjet nga kushërinjtë tonë dhe aq vite e punojmë, po protestojmë pasi kjo tokë është e gjyshërve tanë dhe unë e kam ble këtë pasuri. Dokument ku shkruan që jam pronar i tokës nuk kam. Në kadastër toka është në emër të një fabrike të gypave”.
Qytetari tjetër Agim Beqa thotë se këto parcela i kanë të trashëguara nga gjyshërit dhe se asesi nuk do ta lejojnë shitjen e tyre.
“Ne po kërkojmë nga drejtësia që e drejta jonë themelore del në shesh ne nuk kërkojmë asgjë tjetër pasi ato toka kanë qenë janë dhe do jenë tonat. Ato janë toka shekullore tona. Disa pronarë të atyre parcelave i kanë dokumentacionin, e kanë kthy në emër të vetin kurse e jona jo. Ne kërkojmë që ata ta dëshmojnë se si ka ndodhë ky proces dhe këto prona s’janë kthyer në emër tonë. Ne jemi 10 familje që kërkojmë drejtësi. Ne nuk do ndalemi asnjëherë, do ta kërkojmë drejtësinë që këto toka t’i kthejmë në vendin e vet”, tha Beqa, raporton EO.