Policia e Kosovës, më 23 shkurt., ka arritur të arrestojë dy të dyshuar për përfshirje në grabitje të armatosur. Të dyshuarit janë arrestuar në Kamenicë, gjegjësisht në fshatin Petroc të Kamenicës, njofton Policia e Kosovës.
Policia te të dyshuarit ka gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri e kal. 7.65 mm, e cila me urdhër të lëshuar nga Gjykata Themelore është dërguar për ekzaminim në Agresionin e Kosovës për Forenzikë. Pas ekzaminimeve, ka rezultuar se arma është përdorur edhe në dy raste të tjera të grabitjeve.
Dyshohet se arma është përdorur gjatë grabitjes së një pike karburanti, në fshatin Kmetoc komuna Gjilan, me 23 dhjetor 2017, ku pronari i pompës kishte mbetur i plagosur rëndë pas shkrepjes së armës nga ana e të dyshuarit, transmeton Koha.net.
Po ashtu, dyshohet se arma është përdorur edhe me 25 dhjetor 2017, në rastin “Grabitje në tentativë” e kryer nën kërcenim të armës në një “bastore” në Gjilan.
Me 01.03.2018, dy të dyshuarit A.L. dhe B.A. (meshkuj, shtetas, kosovar, shqiptarë), janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës në lidhje me këto raste, ku janë dëshmuar prova të qëndrueshme se të dy këta të dyshuar në bashkëveprim, në mënyrë të organizuar, janë të përfshirë në këto raste.
Ndaj të dyshuarve është vazhduar masa e ndalimit për një muaj.
Policia e Kosovës, njësitet e hetimeve rajonale dhe hetues policorë të stacionit në Gjilan, në realizim të Planit Operativ “Dhjetori”, pas një pune hetimore mirë të organizuar, për hetimin e veprave penale të “Grabitjes”, me 11 janar 2018, kanë ekzekutuar urdhrin për bastisje të lëshuar nga Gjykata Themelore Gjilan, në tetë lokacione të ndryshme.
Tetë të dyshuar, që të gjithë shqiptarë, shtetas të Kosovës, me banim në Gjilan, dyshohet se janë të involvuar në së paku tri rastet të “Grabitjeve” në qytetin e Gjilanit gjatë periudhës së fund-vitit 2017 dhe fillim të këtij viti.