- Shërbyesit civilë mund të motivohen edhe vetëm duke i dëgju. Pa ta, asnjë udhëheqësi nuk mund të arrijë rezultate. Pa ju lënë atyre procese gati, do të kthehemi në pikën zero.
- Çkado që bën, do të jesh e gabuar. Nëse gjen kohë të kthesh përgjigje në rrjete sociale, ti ke kohë sepse nuk po punon. Nëse nuk përgjigjesh, ti po fshihesh. Mos e vrit shumë mendjen, bëje atë që e ndjen dhe mëso gjatë rrugës.
- Komunikimi duhet të jetë proaktiv, jo reaktiv. Si institucion më shpesh kemi reaguar sesa që kemi komunikuar.
- Të jesh ndryshe, të flasësh hapur dhe të insistosh në parime mund të përjetohet edhe rrezik, deshe e nuk deshe ti.
- Nëse diçka nuk është bërë asnjëherë më parë nuk do të thotë që nuk duhet t’a provojmë. Edhe nëse gabojmë duke e provuar.
- Të udhëheqësh me thjeshtësi dhe pa komplekse burokracie, sidomos kur je grua, do të përjetohet si dobësi. Pranoje, jo çdo mendësi mund t’a sfidosh.
- Transparent/e nuk mund të bëhesh kur ke dëshirë. Ose je ose nuk je.
- Ti e bën vendin, jo vendi ty. Më është thënë se nuk do të mund të bësh asgjë pa u përzier partia. Paragjykim plotësisht i gabuar. Më është thënë se do të provojnë të të shohin si kukull, një simbolikë. Paragjykim plotësisht i saktë.
- Mungesa e delegimit të punëve të shtyn në limite sepse përgjigja në secilin email e telefonatë vet sado e mirë me e mësu thelbin e punës, nuk është e qëndrueshme. Gati një vit qeverisje pa asistent/e dhe staf mbështetës. Sikurse më takon me ligj, edhe mund të kisha emëruar këdo – nga partia apo familja. Nuk doja.
- Jo secilin problem që e sheh derisa ecë në rrugë do të mund t’a rregullosh. Vendosi qëllimet, afro ekipin, mbaje fokusin dhe kryeni punë. Rrugës, gjeni hapësirë edhe t’a shijoni rrugëtimin.
(Autorja është nënkryetare e Komunës së Prishtinës)