Majlinda Kelmendi ka marrë model xhudisten izraelite Yarden Gerbi kur ka vendosur të dhurojë pjesën e prapme të kimonos të cilën e mbajti veshur në Lojërat Olimpike “Rio 2016”, për të ndihmuar fëmijët me nevojë.
Gerbi ka vepruar njëjtë vitin e kaluar. Ajo vendosi në ankand pjesën e prapme të kimonos (back number) dhe mjetet e siguruara nga shitja e saj i dhuroi për fëmijët që po shëroheshin në një spital me të cilin bashkëpunonte prej vitesh, shkruan sot Koha Ditore.
Plot 52 mijë e 100 dollarë amerikanë ishte shitur përmes ankandit pjesa e kimonos ku shkruan emri i xhudistes, tri shkronjat e vendit që e përfaqëson ajo, Rio 2016 dhe ku po ashtu janë të vizatuar rrathët olimpikë.
Edhe pjesa e prapme e kimonos të cilën Majlinda e veshi në ditën më të madhe të sportit kosovar është vënë në ankand. Ankandi është hapur të premten. Shifra e arritur, përkatësisht oferta më e lartë e ditës së parë, ishte dëshpëruese në krahasim me të hyrat që i siguroi pjesa e prapme e kimonos së xhudistes izraelite.