Kryetari i Gjilaniot Lutfi Haziri ka pritur diplomatë të 12 shteteve të cilët i ka informuar për qytetin dhe sferat e veprimtarisë ekonomike të tij.
Ai, siç njofton kumtesa komunale, ka përmendur kulturën e duhanit, prodhimin dhe përpunimin e pemëve dhe perimeve dhe sektorë të tjerë të cilët mund të zhvillohen në komunën e Gjilanit.
Haziri në fjalën e tij ka përmendur binjakëzimet që ka Gjilani me qytete të ndryshme në regjion, Evropë dhe deri në Amerikë, duke pohuar se bashkëpunimet janë forma e drejtëpërdrejtë e shkëmbimit të investimeve, përvojave dhe praktikave të ndryshme në shërbim të qytetarëve dhe ngritjen e zhvillimit.
Ai shtoi në partneritet me Komisionin Evropian është duke implementuar projektin e bashkëpunimit ndërkufitar me komunën e Kumanovës në fushën e bujqësisë, pastaj projekti tashmë i përfunduar për valorizimin e zejeve me komunën e Çairit të Maqedonisë.
Në këtë takim kanë marrë pjesë përfaqësues nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Sllovenia, Hungaria, Senegali, Anglia, Singapori, Çekia, Tajlanda, të shoqëruar nga Akademia Diplomatike, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës.