Që nga themelimi i Policisë së Kosovë, 18 vjet më parë, deri më tani, 17 pjesëtarë të saj kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës, derisa numri i policëve të lënduar në kryerje të detyrës, konsiderohet të jetë më i madh, shkruan lajmi.net.
E ky problem po del të jetë i kahmotshëm.
Kryetarja e Sindikatës së Policisë së Kosovës, Valbona Kamberi, ka thënë për lajmi.net, se gati që 12 vite një kërkesë e tillë i është parashtruar qeverive paraprake dhe qeverisë aktuale.
“Nuk është kjo kërkesa që ne e kemi bërë pikërisht kur ka qenë aksidenti, mirëpo kjo është një kërkesë e kahershme, mos të them që 12 vite është kërkesë që bëjmë nga të gjitha qeveritë që kanë qenë paraprakisht në pushtet. Domethënë ka qenë një kërkeë jetike që kemi kërkuar gjithmonë jo vetëm në sigurimin e aspektit të aksidenteve, mirëpo në përgjithësi edhe në aspektin e sigurimit shëndetësor”, shprehet Kamberi.
“Eshtë potencu disa herë, disa herë kanë shkuar kërkesa të tilla domethënë në qeveri për përkrahjen e këtij sigurimi shëndetësor dhe aksidental, mirëpo ka qenë momenti ku ka ndodhur vetë rasti, pastaj deklaratat tona që kanë qenë të vazhdueshme ku ka qenë edhe ky aksident pjesë e asaj”, deklaroi ajo.
Kamberi shprehet e pakënaqur me faktin se po jipen premtime, mirëpo asnjëherë nuk po del të jetë diçka definitive e cila do të vendoste për fatin e këtyre sigurimeve.
Ajo paralajmëroi edhe mjete sindikale që do të përdoren deri në realizimin e këtij qëllimi.
“Ne edhe sot nuk e kemi atë të drejtë, pavarësisht që akoma është kërkesë e jona jetike që po e kërkojmë edhe në takimet që i kemi pasë para dhe prapa aksidentit. Edhe dje në takimin me ministrin e kemi cekur pikërisht këtë temë, kemi marrë premtime, si çdo herë po marrim premtime mirëpo asnjëherë nuk është ajo definitive se çka do të ndodhë, e edhe këtë herë me takime jemi tu vazhdu. Ne do ti përdorim edhe mjetet tjera sindikale deri në realizimin e kësaj çështjeje”, tha Kamberi.
E pyetur për mjetet që do të përdor Sindikata të cilën ajo e udhëheq, Kamberi tha se të gjitha veprimet do të jenë në zbatim me ligjin, edhe pse siç thotë ajo, nuk është zgjidhje që në këto rrethana të ketë protestë nga Policia e Kosovës.
“Çdo sindikatë ka ato mjete të cilat i lejohen me ligj, të gjitha ato aktivitete të cilat mund të ndodhin paraprakisht. Meqenëse se edhe ne e kemi me ligj të drejtën e protestës, nuk e kemi të drejtën e grevës, mirëpo nuk është zgjidhje në këto rrethana që policia të bëjë protestë për këtë çështje, sepse një protestë e tillë duhet të organizohet kur ka një sëri kërkesash, dhe momentalisht prioritet i kemi dhënë kësaj kërkese”, shtoi ajo.
Kamberi po ashtu tha se do të ishte më mirë për të gjitha palët që të shmangen mjetet sindikale, ngase një gjë e tillë nuk shkon në favor as të Qeverisë së Kosovës, mirëpo as në favor të sindikatës dhe policisë.
“Akoma me dialog po përpiqemi që të zhvillojmë këtë çështje, dhe shpresoj se me dialog do të vije deri tek parandalimi i mjeteve sindikale të cilat mund të jenë të papërshtatshme edhe për qeverinë, për ne si sindikatë dhe për policinë e Kosovës”, përfundoi Kamberi.
Kujtojmë se policët, Armend Trena dhe Malsor Dashi, aksidentuan mbrëmjen e 28 prillit në rrugën Kaçanik- Han i Elezit. Trupat e tyre të pajetë u gjetën pas gati 2 javë kërkimesh.