Dekorimi i shesheve për festat e fundvitit (FOTO)

Prishtinë | 31 Dhj 2022 | 19:08 | Nga Ekonomia Online

Pavarësisht krizës me energjinë elektrike që e ka prekur botën pas fillimit të luftës në Ukrainë, shumica e vendeve dekoruan sheshet për festat e fundvitit, madje edhe vetë vendi që ndodhet në luftë. E kësaj tradite nuk iu shkëput as Kosova.

Prishtina, Peja, Prizreni, Mitrovica, Gjakova, Gjilani e Ferizaj u xixëlluan për këto festa.

Nëpër sheshet e këtyre qyteteve nuk munguan bredhat por as dekorimet me drita, e në ndonjërën nga to edhe vende ku qytetarët mund të rrinë e të festojnë, nëpër shtëpizat e vendosura në këto hapësira.

Më poshtë gjeni pamje nga dekorimi i shesheve më të mëdha të vendit:

Prishtina

Edhe këtë vit sheshet e kryeqytetit u dekoruan si e do zakoni, mirëpo kësaj radhe dekorimi shkoi deri te katedralja. Po, po – kjo hapësirë ishte rrugë shumë e frekuentuar nga veturat, ama dhjetori mirëpriti qytetarët e shumtë për të kaluar kohën me shoqëri e familje, për të shijuar ndonjë çokolatë të nxehtë apo edhe për t’u nxehur me pije të ngrohta alkoolike afër shtëpizave të vendosura në të dy skajet e rrugës. Kjo hapësirë këtë fundvit la paksa në hije sheshet e qytetit, pasi ndeja zhvillohej këtej me muzikë e argëtim.

Mitrovica

02-shat po ashtu këtë vit patën mundësinë të shijojnë frymën e festave të fundvitit me dekorimin e qytetit. Me një bredh të vendosur përballë fotografisë gjigante të heroit Isa Boletini dhe me drita e dekorime të vendosura përmbi sheshin e qytetit, nisi atmosfera festive në Mitrovicë.

Peja

Edhe qyteti dukagjinas u zbukurua si mos më mirë për këto festa të fundvitit. Bredhi e stolitë e tjera festive nuk munguan as në këtë qytet, por as shtëpizat ku qytetarët mund të shërbeheshin me pije të nxehta, alkoolike e joalkoolike.

Gjakova

Bredhi gjigant, yjet me drita përmes të cilëve mund të kalonin qytetarët, pemë të veshura me drita gjithashtu, ishin disa nga dekorimet në komunën e gjakovarëve. E këto zbukurime qytetarët patën mundësinë t’i shijonin edhe duke u relaksuar me ndonjë pije nga shtëpizat e vendosura në këtë qytet.

Prizreni

Prizrenasit si duket nuk deshën “t’ia zbehin” bukurinë natyrale qytetit të vjetër me zbukurime të shumta. Për këtë komunë mjaftoi një bredh dhe ca stoli aty-këtu dhe një shkrim i vendosur mbi urë “Gëzuar 2023” për të njoftuar nisjen e festave të fundvitit.

Ferizaj

Si duket kjo komunë nuk u kursye aq shumë kur vjen puna te stolisja e qytetit. Bredhi gjigant e zbukurimet e shumta treguan për një frymë goxha festive në qytetin e ferizajasve.

Gjilani

As në këtë komunë nuk mungoi bredhi gjigant, simboli i festave të fundvitit, si dhe dekorimet me drita. Gjilani këtë vit vendosi të tregohet pak “më klasik”, të mos shtojë dekorime shumëngjyrëshe. Drita me ngjyrë të verdhë e të kaltër mbizotëruan në sheshet e këtij qyteti.

Te dikush më shumë e te dikush më pak, edhe ky vit u përmbyll me një frymë festive në vend.

Të ngjashme