Kryeshefi Ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) Artan Berisha, ka thënë për Ekonomia Onlilne se vitin e kaluar kanë pasur mbi 95 për qind të inkasimit për shërbimeve të tyre.
Nga 13 mijë klientë që i kanë aktualisht, Berisha ka deklaruar se mundohen t’iu përgjigjen në kohë rekorde dhe se për këtë kanë arritur t’i bëjnë edhe ekipet kujdestare, nëse rast avarie të ndonjë ashensori.
E pranon se ka edhe ankesa të qytetarëve drejtuar NPB-së.
“Po, po i marrim pagesat. Sa i përket projektit të hyrjeve, e kemi një inkasim mbi 95 për qind e që nënkupton që shumica absolute (paguajnë). Ka ankesa edhe ndaj neve, nuk po them se jemi të përkryer, mirëpo ne mundohemi që të paktën të përgjigjemi menjëherë. Çdo ankesë e qytetarit që bën, ne i përgjigjemi menjëherë. Kemi rreth 13 mijë klientë dhe ankesat që ata i bëjnë mundohemi menjëherë t’i përgjigjemi. E sa i përket ashensorëve, kemi një kujdestari 24 orë, pra në momentin që ka prishje, menjëherë ekipet tona që janë kujdestare ndërhyjnë”, ka thënë Berisha.
Ndonëse operojnë vetëm në ndërtesa të vjetra, Berisha ka thënë se ka kërkesa që t’i marrin nën menaxhim edhe ndërtesat e reja. E gjithë kjo falë shërbimeve cilësore që i japin si ndërmarrje.
“Po sa i përket shtrirjes, aktualisht projekti ka qenë i fokusuar te objektet e vjetra që kanë qenë të ndërtuara para lufte dhe aktualisht jemi të shtrirë në tërë Prishtinën, pothuajse në të gjitha lagjet, ndërsa tani kërkesa është në rritje edhe për objektet e reja sepse po shihet cilësia e mirëmbajtjes nga ndërmarrja është shumë në nivel, pra edhe punëtorët paguhen shumë mirë, pagat janë të rregullta, materiali është cilësor e kështu mundohemi të shtrihemi komplet Prishtinën, aq sa kemi mundësinë”, u shpreh Berisha.
E imun nuk janë as nga migrimi i punëtorëve por jo në numër aq të madh. Aktualisht, NPB-ja nën menaxhim i ka mbi 300 punëtorë por që disa prej tyre janë të përkohshëm.
“Vitin e kemi përmbyll me një numër rreth 300 punëtorë, e cila një pjesë e tyre i kemi punëtorë të përkohshëm, duke pasur parasysh që ne kemi projekte që merren ad-hoc dhe pastaj i kemi angazhuar. Për momentin nuk e kemi vërejtur ndonjë fluks të madh, të paktën ka qenë koha e festave dhe e pushimeve, ne nuk e kemi vërejtur një fluks aq të madh, kanë qenë dy ose tri largime por jo më shumë”, u shpreh Berisha për EO.