14 sportistë do ta përfaqësojnë Kosovën në Festivalin Olimpik për të rinj

Prishtinë | 20 Kor 2017 | 17:27 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ardit Hysejni do të jetë një nga 14 sportistët të cilët do të përfaqësojnë Kosovën në Festivalin Olimpik Evropian për të rinj, raporton Ekonomia Online.

Arditi do të garojë në dy kategori në not së bashku me Dion Kadriu, Dren Ukimeraj dhe Muhamed Rushiti.

Sipas tij, për këtë garë i është dashur të shkojnë të përgatiten në Turqi për shkak se shteti i Kosovës nuk posedon një pishinë që i plotëson kriteret olimpike.

“Jemi duke u përgatitur qe disa kohë. Javën e kaluar ishim në Turqi ku mbajtëm disa përgatitje në pishinën olimpike 50 metra, të cilën ne nuk e kemi këtu, prandaj u desh që të shkonim dhe të ambientohemi pak” tha Hysejni, raporton EO.

Ai shpreson që në të ardhmen do të kenë mundësi që të stërviten në pishinën olimpike në Kosovë dhe sipas tij, një pishinë e tillë do t`iu mundësonte që t`i sjellin rezultatet sa më të mira.

“Neve në Kosovë na mungon një pishinë olimpike, do me thënë ne ushtojmë në pishinë 25 metra, e cila nuk i përmbush kushtet dhe ka ndodhur shumë shpesh me pas problem edhe me to. Ne do të ishim shumë mirënjohës nëse në të ardhmen, vitin e ardhshëm ose pas dy vite, sa më shpejt që është e mundur të ndërtojnë një pishinë të mbyllur olimpike 50 metra ku do të na bënte edhe neve më të mundur prezantimin e Kosovës më mirë në gara olimpike”, u shpreh ai.

Kryetari i Komitetti Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, në prezantimin e sportistëve pjesëmarrës tha se sportistët do të nisen nesër për në Gyor ku do të qëndrojnë deri në përfundim të Festivalit.

“Me ndihmën e solidaritetin e komitetit Olimpik Evropian dhe Botëror kemi arritur që t’i dërgojmë këta sportistë me trajnerët e tyre në përgatitje, këta janë kthyer sot në orët e hershme të mëngjesit dhe qysh nesër prej orës një do të nisemi për në Gyor. Do të vendosen në fshatin e sportistëve dhe atje do të qëndrojnë për 10 ditë deri në përfundimin e Festivalit Olimpik për të rinj”, tha ai.

Përveç notit, Kosova do të prezantohet në Gyor të Hungarisë edhe me sportistë nga atletika, xhudo dhe tenisi, raporton EO.

Sportistët të cilët do të prezantohen në Festivalin Olimpik për të rinj janë: nga atletika: Gentiana Peci (disiplina: 3000 metra), Valentina Kelmendi (800m), Alaudin Suma (hedhje e diskut) dhe Arian Smajli (3000 metra), Nga noti janë: Ardit Hysejni (50m shpinë), Dion Kadriu (100m krol), Dren Ukimeraj (50m krol) dhe Muhamed Rushiti (50m delfin). Nga Xhudo Laura Fazliu, Arbër Kullashi, Selim Berisha e Shpati Zekaj dhe tenisi do të përfaqësohet me garuesit: Blearta Ukëhaxhaj, dhe Diell Mehmedi,

Të ngjashme