Gjykata Themelore në Ferizaj, trupi gjykues i Departamentit për të Mitur, më 03.03.2017, shpalli aktgjykimin ndaj të pandehurve F.Sh.1 dhe F.Sh.2, të cilët në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale trafikimi me njerëz nga neni 139 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 23 të Kodit Penal të Kosovës, si dhe ndaj të pandehurve B.Q, L.P, F.N dhe F.U, të akuzuar se secili veç e veç, ka kryer veprën penale trafikimi me njerëz nga neni 139 paragrafi 6 lidhur me paragrafin 5 të KPK-së.
Trupi Gjykues pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor, dëgjimit të palëve, administrimit të të gjitha provave dhe fjalëve përfundimtare, ndaj të pandehurës F.Sh.1 për veprën penale me të cilën e ngarkon akuza, e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej dy (2) vite e gjashtë (6) muaj. Të pandehurin F.Sh.2 me dënim burgimi në kohëzgjatje prej tre (3) vite e gjashtë muaj. Ndërkaq të pandehurit B.Q. L.P, F.N, F.U, i gjykuoi secilin me nga dy (2) vite burgimi.
Të pandehurit F.Sh.1 dhe F.Sh.2, akuzohen se gjatë vitit 2004 deri në vitin 2007, në bashkëkryerje kanë trafikuar të dëmtuarën – viktimën e mitur, me çka kanë keqpërdorur pozitën e saj të ndjeshme për shkak të gjendjes materiale dhe moshës së re, duke e mbajtur në shtëpinë e të pandehurës F.Sh.1, dhe duke e detyruar që pa dëshirën e saj t’u ofrojë shërbime seksuale në këmbim të parave të pandehurve B.Q, L.P, F.N, F.U dhe personave B, D, H, me ç’rast të pandehurit kanë bërë rekrutimin e të dëmtuarës, organizimin e takimeve dhe transportimin e saj deri tek personat e lartshënuar për shërbime seksuale. Ndërkaq të akuzuarit B.Q, L.P, F.N dhe F.U aktakuza i ngarkon me veprën penale sepse gjatë periudhës së njëjtë, kanë shfrytëzuar shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit, për të cilën kanë qenë në dijeni se është e moshës së re dhe viktimë e trafikimit.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 dite nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.