149 zyrtarë policor janë hetuar gjatë vitit 2018, nga 648 ankesa të drejtuara në Drejtorinë e Hetimeve në Inspektoratin Policor të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Kështu është shprehur kryeshefja e Inspektoratit Policor të Kosovës, Miradije Kelmendi. Kjo e fundit tha se inspektimet e këtij institucioni janë të vazhdueshme.
“Në departamentin e hetimeve janë raportuar 648 ankesa. Nga departamenti i hetimeve gjatë vitit 2018 janë hetuar 149 zyrtarë policor. Inspektimet e zakonshme janë menaxhimi i armëve të zjarrit dhe municionit. IP ka zhvilluat një sërë aktivitetesh në fushën e aktivitetit. Gjatë vitit 2018 është rikthyer bashkëpunimi me OSBE qe po e përkrahin IP në trajnime”, tha Kelmendi.
Kelmendi shtoi se tri zyrtarë policorë janë suspenduar dhe dy janë me aktakuzë të ngritur, ndërsa tha se nuk ka të larguar.
“Tre zyrtarë i suspenduar dhe dy me aktakuzë të ngritur. Nuk ka të larguar”, shtoi Kelmendi.
Këto të dhëna Kelmendi i dha gjatë raportimi për raportin vjetor të vitit 2018 në Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, raporton Ekonomia Online.
Ligjvënësit morën edhe informacione të tjera që janë nën mbikëqyrjen e Inspektoratit Policor të Kosovës.
Anëtari i komisionit nga Vetëvendosje, Rexhep Selimi, pyeti Kelmendin se sa zyrtarë policor janë arrestuar për veprën marrje ryshfeti. Kryeshefja e IP-së tha se është arrestuar një person me akuzë të tillë.
“Është arrestuar vetëm një person me akuzë të tillë”, tha Kelmendi.
“Kemi pasur rritje të stafit dhe rënie të numrit të rasteve, si justifikohet kjo”, pyeti Selimi.
Informacione deputetët kërkuan edhe për qendrën e thirrjeve.
“A ka qendër të thirrjes dhe sa është koha e reagimit pas denoncimit të rastit pasi ka ankesa që qendra e thirrjes nuk është aq efektive”, pyeti Selimi.
“Sa janë të sigurta linjat telefonike ku nuk përgjohen prej policisë derisa qytetarët raportojnë”, pyeti deputetja Dërguti.
Nga Inspektorati Policor thanë se të gjitha thirrjet pranohen në numrin e tyre të qendrës dhe reagohet menjëherë pas rasteve.
“Në numrin tonë pranohen të gjitha thirrjet. Në përgjithësi kemi reaguar shpejtë sipas mundësisë që kemi pas. Shumica e ankesave mund të jenë të aksidenteve”, u tha në komision.
Kelmendi siguroi se të gjitha thirrjet janë të sigurta dhe nuk ka përgjime të paligjshme.
“Ne e dimë si thotë ligji dhe nuk besoj qe ka pas përgjime të paligjshme. Qytetarët kanë shumë mënyrë të raportimit, ne i trajtojmë edhe kërkesat anonime, ne mundemi ta trajtojnë si vepër”, pohoi Kelmendi.
Ismet Beqiri nga LDK-ja, pyeti sa është i pavarur institucioni i tyre dhe a ka interferime brenda saj.
Ndërsa Kelmendi, tha se me këtë punë nuk i takon asaj të merret si një titullare e institucionit, por ajo njoftoi se me këto të dhëna i ka kryer Këshilli i Evropës.
“Vitin e kaluar kam qenë në praktikë të komisioneve dhe i kam premtua që kemi me bë një vlerësim të institucioneve. Këshilli i Evropës e ka bërë një vlerësim dhe është i publikuar, ai raport i ka nxjerrë disa rekomandime që të fuqizohet inspektorati dhe mënyra e menaxhimit të këtij institucioni”, tha Kelmendi.
Sipas Kelmendit, ndër sfidat me të cilat është përballur Inspektorati Policor i Kosovës gjatë vitit 2018, kanë qenë problemet lidhur me pozicionin e IP-së si dhe me mungesa e burimeve njerëzore, për shkak të mungesave të rekrutimit.
Përndryshe, Komisioni për Punë të Brendshme, pikën e parë të rendit të ditës e kishte raportimin e zyrtarëve të Inspektoratit Policor të Kosovës, në lidhje me rastin e dyshuar si dhunim ndaj të miturës në Drenas.
Kjo pikë e rendit e ditës është mbajtur me dyer të mbyllura, pa prezencën e medieve.