Shkarkohet nga detyra kryeshefja e inspektoratit të policisë

Prishtinë | 23 Pri 2020 | 15:43 | Nga Ekonomia Online

Miradije Kelmendi është shkarkuar nga pozita e kryeshefes së Inspektoratit të Policisë së Kosovës.

Këtë e ka bërë të ditur vet ushtruesi i detyrës së ministrisë së punëve të brendshme dhe administratës publike, Xhelal Sfeqla.

Postimi i plotë:

Sot kam nënshkruar vendimin për shkarkimin nga detyra e Kryeshefes së Inspektoratit Policor të Kosovës, znj. Miradije Kelmendi.

Ky vendim erdhi pas analizës së gjetjeve nga dy raporte: Raporti me rekomandime për Mbikëqyrje të zbatimit të ligjit për IPK-në, hartuar nga Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës; dhe Raporti i Auditimit për Ministrinë e Punëve të Brendshme të vitit 2018. Po ashtu kam marrë parasysh edhe letrën e rekomandimeve nga Avokati i Popullit Nr. 683/2019 lidhur me çështjen “Agron Hasanaj kundër Inspektoratit Policor të Kosovës”.

Në këto raporte konstatohen shkelje të ndryshme në menaxhimin e IPK-së dhe mes tjerash edhe rekomandohet shkarkimi i znj. Kelmendi.

Gjetjet e raporteve e bëjnë të domosdoshëm shkarkimin. Në krye të institucioneve na duhen njerëz që respektojnë ligjin dhe iu garantojnë qytetarëve transparencë të plotë, shërbim profesional e mbrojtje. E kjo është edhe më e rëndësishme kur flasim për drejtuesit në institucionet e rendit publik e ata të Policisë së Kosovës. Vetëm në këtë mënyrë, duke mbajtur përgjegjësi maksimale dhe duke mos lejuar shkeljet, e forcojmë shtetin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme