Javën që shkoi i dërguar i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak gjatë një vizite në Prishtinë ia dorëzoi kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti 15 modele evropian për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Lajçak gjatë vizitës në Kosovës theksoi se të gjitha këto janë në janë në përputhje me standardet evropiane dhe asnjëra nuk ka çuar në mosfunksionim te shtetet që kanë implementuar këto modele, dhe asnjëra prej tyre nuk kanë të bëjnë asgjë me “Republikën Sprska”.
Asnjëra prej 15 modeleve evropiane nuk janë bërë publike as nga Kosova e as nga Brukseli.
Por, Radio Evropa e Lirë në gusht të vitit të kaluar ka raportuar për disa prej modeleve evropiane të përmendura në media, elementet e të cilave do të mund të aplikoheshin në rastin e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Shtete të ndryshme evropiane, sikurse Zvicra, Italia, Finlanda, Spanja, Belgjika dhe të tjera, kanë rregullime të ndryshme sa i përket të drejtave të komuniteteve joshumicë.
Finlanda
Një prej modeleve të përmendura më herët, sa i përket rregullimit të të drejtave gjuhësore, kulturore të minoriteteve është edhe ai i Finlandës.
Minoriteti suedez që jeton në Finlandë, sipas Kushtetutës së këtij shteti, ka të drejtë të përdorë gjuhën amtare në shkolla, por edhe dialektet e pjesëtarëve të komunitetit suedez janë të mbrojtura.
Edhe në Kosovë, në bazë të Kushtetutës, gjuhë zyrtare është ajo shqipe dhe serbe. Por, në Finlandë, rajoni i ishujve Aland, ka një autonomi më të gjerë sa i përket gjuhës suedeze, dhe komuniteti suedez ka edhe përgjegjësi të tjera.
Shembull, komuniteti lokal në këta ishuj mund të vendosë nëse banorë nga pjesë të tjera të Finlandës mund të zhvendosen atje.
Italia
Në Itali, nga 20 rajone sa janë, pesë prej tyre kanë status autonom. Pavarësisht statusit të tillë, ajo janë ende pjesë e Italisë, por që kanë një kontroll më të madh për rregullimin e brendshëm, duke nisur nga gjuha e deri te mbledhja e taksave.
Rajoni Trentino-Alto Adige, ku jeton minoriteti gjermano-folës, por edhe minoritete të tjera gjuhësore, ka rregulla të ndërlikuara sa i përket gjuhës.
Megjithatë, aty përfaqësimi është i strukturuar në bazë të balancave demografike midis gjermano-folësve dhe italiano-folësve.
Një prej këtyre pesë rajoneve autonome italiane ka përgjegjësinë e plotë të mbledhjes së taksave në territorin e tyre. Ndërkaq, në katër rajonet e tjera aplikohen sisteme të përziera të mbledhjes së taksave, ku shumica e tyre shkojnë në qeverisjen qendrore dhe qeverisja qendrore vendos për shpenzimin e tyre për projektet në këto zona.
Zvicra
Të 26 kantonet zvicerane në masë të madhe janë vetëqeverisëse dhe sipas Marko Prelecit, analist i lartë në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, kanë përgjegjësi edhe për kufijtë e jashtëm të Zvicrës.
Gushtin e kaluar, ai ka thënë se policia në këto kantone nuk është zvicerane, por polici e kantonit që shërben në emër të Konfederatës Zvicerane.
Në Zvicër, ku jetojnë komunitete të ndryshme gjuhësore, përveç zbatimit të ligjit, kantonet kanë përgjegjësi edhe në fushën e shëndetësisë, atë të mirëqenies, mbledhjes së taksave dhe në fushën e edukimit.
E lidhur me 15 modelet e ofruara nga Bashkimi Evropian një ditë më parë kryeministri i vendit, Albin Kurti ka deklaruar se janë duke i trajtuar.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se këshilltarët e tij dhe disa nga ministrat janë duke trajtuar 15 modelet për Asociacionin që emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak ia ka ofruar atij.
Kurti tha se nga këto modele të trajtimit të pakicave kombëtare në Bashkimin Evropian, do të shohin të marrin elemente që edhe pakicat në Kosovë të jenë në nivelin e duhur. Por nënvizoi se nuk do të bëjë kompromis me kushtetutshmërinë, ligjshmërinë dhe funksionimin e shtetit.
“Modelet të cilat janë prezantuar nga emisari evropian Lajçak janë solucione të ndryshme të pakicave kombëtare në vendet e Bashkimit Evropian, janë pesëmbëdhjetë sosh gjithsej të cilat janë të mirënjohura. Unë s’po përmendi ndonjëherë të mos i rrezikoj apo harroj një pjesë, por në vendet e BE-së dihet se përveç popullsisë shumicë ka edhe pakica. Janë përmendur 15 raste të tilla, disa janë më rishtazi, disa më të hershme edhe para se të ekzistojë Bashkimi Evropian”.
“Unë besoj se ato janë modele nga të cilat ne mund të marrim elemente në mënyrë që jo vetëm të drejtat e njeriut, por edhe të pakicave kombëtare të jenë në nivelin e duhur në vendin tonë… Ato po trajtohen nga këshilltarët e mi, nga disa prej ministrave në mënyrë që të shohim se çka është më e favorshme. Natyrisht, kushtetutshmëria, ligjshmëria, barazia, funksionimi i shtetit janë diçka që ne nuk bëjmë asnjëherë kompromis”, tha ai.
Kurti tha se para takimit të së shtunës me presidentit serb, Aleksandër Vuçiq në Ohër të Maqedonisë së Veriut, do të dihet agjenda dhe pikat përmbajtjesore që do të diskutohen.
“Para të shtunës ne do ta dimë agjendën dhe pikat përmbajtjesore se çka do të diskutohet atje. Në kuadër të diskutimit të planit të zbatimit për marrëveshjen tashmë të dakorduar sipas propozimit evropian, pa u ndryshuar asgjë”, tha ai.
Ndryshe, Kosova dhe Serbia më 27 shkurt në Bruksel ranë dakord parimit për Propozimin evropian për normalizimin e raporteve.
Ndërkaq, të shtunën, më 18 mars do të takohen sërish, por kësaj radhe në Ohër të Maqedonisë për të diskutuar Aneksin për zbatimin e Propozimit evropian.
E lidhur me këtë takim që do të mbahet më 18 mars ka folur edhe ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott.Përmes një statusi në llogarinë e tij në Facebook, Abbott ka thënë që kjo javë është e rëndësishme për Kosovën.
Sipas tij, pritet të arrihen hapa të vërtetë për marrëdhënien ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Kjo javë është e rëndësishme për Kosovën. Është i arritshëm një hap i vërtetë drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe njohjes reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”. ka thënë Abbott.
Sipas tij, marrëveshje do të sjellë disa përfitime praktike dhe disa politike.
“Qeveria dëshiron të arrijë një plan kohor realist të zbatimit dhe mirëpres që disa parti opozitare po ofrojnë mbështetje të dobishme. Tani është koha për të marrë prapa një marrëveshjeje dhe zbatimin e saj për të siguruar një marrëveshje që funksionon për Kosovën. Ne besojmë se po”, shkroi Abbott./Telegrafi