15 vjet burgim për vrasjen e Hatije Dina, reagon YIHR: Ky dënim e legjitimon dhunon dhe vrasjen e grave

Prishtinë | 17 Jan 2023 | 12:21 | Nga Ekonomia Online

Rrjeti rajonal i Iniciativës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut nga Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Kroacia, Kosova dhe Serbia kanë reaguar ndaj një vendimi të Gjykatës Themelore në Prizren, në rastin e vrasjes së Hatije Dinas nga bashkëshorti i saj, i cili ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme në Kosovë.

Sipas reagimit të tyre thuhet se dënimi me 15 vite burgim për vrasje dhe cilësimi i veprës si “lëndim i rëndë trupor”, e legjitimon dhunon dhe vrasjen e grave.

“YIHR KS ka pritur me shqetësim vendimin e fundit të Gjykatës Themelore në Prizren në rastin e vrasjes së Hatije Dinas nga bashkëshorti i saj, rast i cili ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme e Kosovës. Në vitin 2019 Hatije Dina ishte rrahur për vdekje nga bashkëshorti i saj, Ilir Haxhiaj. Për rastin në fjalë Gjykata Themelore në Prizren ka shqiptuar dënim me 15 vite burgim për veprën penale ‘lëndim i rëndë trupor’ ”.

“Dënimi skandaloz me 15 vite burgim për vrasje dhe cilësimi i veprës si “lëndim i rëndë trupor”, e legjitimon dhunën dhe vrasjen e grave dhe ndikon negativisht në besimin e viktimave për raportim të rasteve të dhunës, si dhe në besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë në përgjithësi”, thuhet në reagim.

Po ashtu YIHR KS u bën thirrje institucioneve të drejtësisë që të trajtojnë me seriozitet dhe në përputhje me ligjin të gjithat rastet e vrasjes së grave dhe të shqiptojnë dënime meritore që do të shërbenin edhe si preventivë e rasteve të tjera të dhunës ndaj grave dhe dhunës në baza gjinore.

“Gjithashtu, i bëjmë thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës që të analizojë këtë rast dhe të funksionalizojë mekanizmat e tij në lidhje me rastet ku gjyqtarët nuk ushtrojnë detyrën e tyre përkitazi me legjislacionin në fuqi, si dhe të ndërmarrë te gjitha veprimet e duhura drejt dënimit meritorë të krimeve të tilla”, thuhet në reagimin e YIHR.

Të ngjashme