Më 2 shkurt 2007 i dërguari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd.
Kjo ishte edhe nisma e krijimit të shtetit të pavarur të Kosovës. Edhe pse plani u dorëzua, gjatë gjithë kohës mendohej se Martti Ahtisaari do të propozojë pavarësi të kushtëzuar, por pa përmendur fjalën pavarësi.
Ky dokument së pari iu dorëzua Beogradit, e pak orë më vonë Ahtisaari mbërriti edhe në Kosovë.
Sipas Ahtissarit dhe ekipit të tij, synimi i propozimit të gjithanshëm për marrëveshjen mbi statusin e Kosovës ishte të përcaktojë kërkesat e nevojshme për një Kosovë të ardhshme që është e mundshme, e mbështetshme dhe e stabilizuar.
Plani përfshinte masa të hollësishme për të siguruar inkurajimin dhe mbrojtjen e të drejtave të bashkësive the anëtarëve të tyre, decentralizimin efektiv të qeverisë dhe ruajtjen e mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e fetare.
Për më tepër, Marrëveshja përshkruante masa kushtetuese, ekonomike dhe sigurie, të cilat së bashku synonin të kontribuojnë në zhvillimin a një Kosove shumë-etnike, demokratike dhe të lulëzuar.
Një element i rëndësishëm i Marrëveshjes ishte mandati që i jepej prezencës ndërkombëtare civile dhe ushtarake në Kosovë për të mbikëqyrur zbatimin e Marrëveshjes dhe për të ndihmuar autoritetet kompetente Kosovare në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në gjithë Kosovën.
Plani i Ahtisaarit gëzoi atëkohë mbështetjen e autoriteteve kosovare, ndërsa, u kundërshtua nga Qeveria e Serbisë, e cila e cilësonte propozimin si të dëmshëm për shkak se, siç thuhej, “prek sovranitetin e shtetit serb”.
Ndonëse fjala “pavarësi” nuk përmendej në draft-dokumentin në fjalë, udhëheqësit kosovarë patën shprehur bindjen se “procesi ndërkombëtar për zgjidhjen e statusit të Kosovës i udhëhequr nga presidenti Ahtisaari do të përfundonte shpejt me pavarësimin e Kosovës”.
Bindja e tyre do të realizohej pjesërisht më se dy javë pas takimit të fundit të nivelit të lartë midis Prishtinës dhe Beogradit. Negociatat e ndërmjetësuara Ahtisaari që kishin filluar në korrik të 2006-ës në Vjenë, u përmbyllën në po atë qytet më 10 mars me mbledhjen e fundit ndërmjet palëve.
Më 26 mars Ahtisaari ia dorëzoi sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara raportin final dhe rekomandimin që Kosova të fitojë një pavarësi të mbikëqyrur.
Presidenti, Fatmir Sejdiu, dhe kryeministri, Agim Çeku, të cilët atëkohë udhëhiqnin Kosovën e patën cilësuar 26 marsin ditë historike për Kosovën.
“Pavarësia e Kosovës, e cila fillimisht pas planit të Ahtisaarit do të ketë mbikëqyrje ndërkombëtare, do të jetë në shërbim të paqes”, pati deklaruar Sejdiu.
Ndërsa, Agim Çeku, kreu i ekzekutivit kosovar atëkohë, pati theksuar: “Letra propozon pavarësi për Kosovën, të mbikëqyrur në fazën e parë që është në përputhje me vullnetin e popullit të Kosovës”.
Diametralisht të kundërta ishin reagimet e Beogradit zyrtar dhe ato të serbëve lokalë në Kosovë. Refuzimi i tyre për ta pranuar planin Ahtisaari u përkrah nga aleati serb-Rusia.
Pikëpamjet e ndryshme të palëve ndaj planit Ahtisaari çuan në dërgimin e një misioni fakt-mbledhës të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, që kishte për detyrë shqyrtimin e rrethanave për zbatimin e planit Ahtisaari.
Delegacioni pat nisur vizitën e tij më 27 prill për ta përfunduar atë me vlerësimet e tij që do t’i paraqiteshin Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ky mekanizëm, pavarësisht insistimit të përkrahësve të planit Ahtisaari, nuk arriti të gjejë konsensus për zgjidhjen e statusit të Kosovës.
Rusia-kundërshtuesi kryesor i planit, përdori më vonë Veto-n ndaj një propozim-rezolute të anëtarëve evropianë të Këshillit, Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara e cila parashihej të zëvendësonte rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, t’ia hapte rrugën hyrjes në fuqi të planit të Ahtisaarit dhe përfundimit brenda 120 ditëve të misionit të OKB-së në Kosovë.
Të pasuksesshme rezultuan dhe bisedimet Prishtinë – Beograd të zhvilluara deri në dhjetor të 2007-ës nën ndërmjetësimin e “Treshes” ndërkombëtare e përbërë nga amerikani, Frenk Vizner, gjermani, Volfgang Ishinger dhe rusi, Aleksandër Botsan-Kharçenko.
Më 17 shkurt 2008 Kosova do ta merrte në duart e veta fatin e saj duke u shpallur shtet.