Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë të ditur se ka përfunduar procesi i verifikimit dhe numërimit të votave edhe në QKN në Prishtinë, duke shënuar mbylljen e këtij procesi në të gjitha komunat e Kosovës.
Elezi për Ekonomia Online ka njoftuar se tashmë aktivitetet e KQZ-së janë përqendruar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), ku po vazhdon numërimi i fletëvotimeve nga diaspora, përfshirë votimin në përfaqësitë diplomatike dhe votimin përmes postës, me synimin që rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të shpallen sa më shpejt.
“Gjatë ditës së sotme (e shtunë, 3 janar, ora 14:00), në QKN e Prishtinës përfundoi verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularë e plotësuar në 262 vendvotime dhe numërimi i votave të kandidatëve për deputetë nga ato vendvotime. Njëkohësisht, me këtë janë përmbyllur aktivitetet në të gjitha komunat e Kosovës, proces i cili kishte filluar më 29 dhjetor 2025”, tha ai.
Elezi theksoi se fokusi i KQZ-së tashmë është zhvendosur në QNR, ku po zhvillohen fazat e radhës së procesit zgjedhor.
“Në vazhdim, aktivitetet e KQZ-së janë përqendruar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ku nga data 2 janar janë duke u numëruar më shumë se 16 mijë fletëvotimet nga votimi i zhvilluar më 27 dhjetor në 29 përfaqësitë diplomatike dhe pasditen e së shtunës do të fillojë numërimi i fletëvotimeve nga votimi përmes postës që deri më tani janë sjellë në Kosovë”, tha ai.
Sipas tij, KQZ po vazhdon aktivitetet me qëllim të shpalljes sa më të shpejtë të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar me aktivitetet, të cilat kanë për qëllim të shpallen në një kohë sa më të shpejtë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën më 28 dhjetor 2025”, tha Elezi.
KQZ ka bërë të ditur se ditë më parë, nga dy kutitë postare jashtë Kosovës, në Berlin dhe Bernë, janë tërhequr më shumë se 28 mijë e 500 pako me fletëvotime që i takojnë votimit përmes postës, të cilat janë vlerësuar dhe verifikuar nga shërbimi votues i KQZ-së.
Nga këto pako, pas procesit të verifikimit, janë aprovuar 27,600 zarfe, ndërsa më shumë se 950 janë refuzuar. Arsyeja kryesore e refuzimit, sipas KQZ-së, ka qenë mungesa e dëftesës së regjistrimit të votuesit në pakon me fletëvotim. Në procesin e numërimit do të përfshihen 27,600 zarfe të supozuara me fletëvotime.
Në votimin përmes postës, numri i shtetasve të regjistruar ka qenë rreth 58 mijë, ndërsa pas përfundimit të tërheqjes së fletëvotimeve nga të gjitha kutitë postare do të dihet saktësisht se sa prej tyre e kanë ushtruar të drejtën e votës. Sipas planifikimeve të KQZ-së, tërheqjet e fundit të zarfeve me fletëvotime do të bëhen më 2 dhe 5 janar 2026.
Në procesin e numërimit do të përfshihen gjithashtu edhe fletëvotimet nga votimi me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta. Sipas të dhënave preliminare, nga 57 vendvotime me kusht, në 38 komuna të vendit, janë evidentuar mbi 9,900 votues të regjistruar për votim me kusht, ndërsa numri i votuesve të regjistruar në programin e votimit të personave me nevoja të veçanta ka qenë 2,860.