Qeveria e Kosovës ka themeluar Këshillin Shtetëror të Epopesë së UÇK-së në 28 vjetorin e saj, ku kryesues është ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, bashkëryesues, Andin Hoti, ndërsa anëtarë, Sami Lushtaku, Saranda Bogujevci, Elbert Krasniqi, Bashkim Jashari dhe Gazmend Hoxha, gjersa presin emrin edhe një anëtari nga organizatat e dala nga lufta por edhe nga presidenca, kryeministria dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Në adresimin e tij, kryeministri Albin Kurti tha se pa 5, 6 dhe 7 marsin nuk do të bëhej 17 shkurti dhe pa flijimin e familjes Jashari nuk do bëhej festa shtetërore e Republikës.
“Shkurti është muaj feste shtetërore dhe krenarie qytetare, marsi është muaj lavdie historike dhe nderimi i sakrificës. Në kalendar vjetor shkurti vjen para marsit, por në kalendarin e historisë sonë, para shkurtit ishte marsi. E pa 5, 6 dhe 7 Marsin, nuk bëhej 17 Shkurti, pa flijimin e familjes Jashari, nuk bëhej festa shtetërore e Republikës, pa luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për liri, nuk bëhej parakalimi i ushtrisë sonë në liri”, tha ai.
Kurti theksoi se Epopeja e UÇK-së është momenti i sakrificës, guximit dhe besimit në liri.
“Epopeja e UÇK përfaqëson momentin kur sakrifica, besimi dhe guximi në liri u bën një me fatin e popullit tonë. Qëndresa heroike e familjes Jashari dhe luftëtarëve të UÇK u shndërrua në frymëzim për një popull të tërë që kërkonte shtet dhe etnitet”, deklaroi Kurti.
Adresimi i plotë i Kurtit në mbledhjen e dytë të Qeverisë:
Mirë se takohemi në mbledhjen e rregullt të Qeverisë. Të martën patëm mbledhjen solemne për 18-vjetorin e Pavarësisë. Sot, në pikën e parë të rendit të ditës, kemi themelimin e Këshillit Shtetëror për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Shkurti është muaj feste shtetërore dhe krenarie qytetare, marsi është muaj lavdie historike dhe nderimi i sakrificës. Në kalendar vjetor shkurti vjen para marsit, por në kalendarin e historisë sonë, para shkurtit ishte marsi. E pa 5, 6 dhe 7 Marsin, nuk bëhej 17 Shkurti, pa flijimin e familjes Jashari, nuk bëhej festa shtetërore e Republikës, pa luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për liri, nuk bëhej parakalimi i ushtrisë sonë në liri.
Në mbledhje sot për miratimin tonë pret projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Qasje në Arsimin e Lartë dhe Pranim për Studime në Ballkanin Perëndimor, që buron nga Procesi i Berlinit. Përmes saj, pas ratifikimit në Kuvend dhe kur të fillon zbatimi, lehtësohet qasja dhe pranimi i studentëve në institucionet publike të arsimit të lartë, sepse hiqen pengesat administrative dhe afrohen standardet akademike ndërmjet gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Po ashtu, do ta vendosim për votim agjendën legjislative për vitet në vijim. Aty ndër të tjera, përfshihen Projektligji për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe Projektligji i ri për Çmimet tavan: të dy zotime tona, të dy nevoja të vendit dhe qytetarëve, të cilat përmbushen dhe plotësohen shumë shpejt.
Në rend të ditës kemi edhe themelimin e dy ndërmarrjeve të reja publike lokale: “Fushë Kosova” Sh.A, e para në Komunën e Fushë Kosovës, dhe “EKO Drenasi” Sh.A, që do të ofrojë mirëmbajtjen e hapësirave dhe ndërtesave publike.



