17 blegtorë të Shtimes përfitojnë pajisje bujqësore nga BE-ja

Shtime | 24 Maj 2022 | 13:48 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës (IADK) ka shpërndarë pajisje bujqësore për blegtorët e komunës së Shtimes.

Përfitues nga programi, i cili mbështetet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, janë 17 blegtorë, që kanë përfituar mekanizëm bujqësor, serra, sistem të ujitjes, fidanë të ndryshëm, pajisje për bletari dhe pajisje për përpunimin e ëmbëlsirave – në vlerë prej 5 mijë euro secili, raporton Ekonomia Online.

Drejtori Ekzekutiv i IADK-së, Zenel Bunjaku, ka shpjeguar se sot po shpërndajnë “lakto-friza”, për ruajtjen e qumështit dhe prodhimeve bujqësore me 17 përfituesit e fazës së II-të në kuadër të projektit “Mbështetja në punësimin e të rinjve dhe grave në zonat rurale përmes zhvillimit të bujqësisë”.

Ndërsa si pjesë e projektit dyvjeçar (2020-2022), të financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë në partneritet me disa komuna, janë përkrahur 90 blegtorë. “45 kanë ndjekur trajnime dhe kanë marrë certifikata”, bëri të ditur Bunjaku.

“Vlera e intervenimit është 5 mijë euro. Sektori i blegtorisë do të marrin edhe certifikatë shtesë”, tha ai.

Menaxherja e programit në Zyrën e Unionit Evropian në Kosovë, Majlinda Statovci, tha se ky projekt është i rëndësishëm sepse ka zbutur papunësinë në pjesën rurale në Shtime. Ajo theksoi se nga 17 përfituesit nga ky program, 7 prej tyre janë gra.

“Sot po dorëzojmë pajisjet bujqësore. Ky projekt është i rëndësishëm për ne sepse ka zbutur papunësinë në pjesën rurale në Shtime. Numri i të papunëve në Kosovë është i lartë… Pajisjet që janë blerë përmes BE-së e bëjnë maksimumin, duke zvogëluar koston e fermerëve”, tha Statovci.

Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, i cili mori pjesë në ceremoninë e organizuar me këtë rast, tha se bujqësia do ta ketë prioritetin e tij, teksa premtoi që deri në fund të mandatit të dhjetëfishohet buxheti për këtë sektor.

“Unë ndihem mirë në këtë ditë me lajme të mira për komunën e Shtimes. Përmes organizatës IADK, kemi arritur që fondet e BE t’i sjellin në Shtime. Janë certifikuar 45 qytetarë të Shtimes, ndërsa 27 kanë përfituar prej tyre. Si komunë, sektorin e bujqësisë do të kemi prioritet dhe deri në fund të mandatit do ta dhjetëfishojmë buxhetin”, tha Aliu.

Përfaqësues nga IADK dhe Komuna e Shtimes u zotuan në mbështetjen e tyre të vazhdueshme, fuqizimin e mëtutjeshëm të sektorit të bujqësisë dhe njoftimin e fermerëve me trendet e fundit zhvillimore në sektorin e agrobiznesit në përgjithësi.

Njëra nga përfituesit nga ky projekt, Besa Gashi, tha se përmes trajnimit ka arritur të aftësohet dhe të jetë përfituese e këtij programi.

“Me ndihmën e familjes arrita të bëjë një fermë të vogël. Përmes këtij trajnimi arrita të aftësohem. IADK kishte shpallur ftesën për grante dhe u zgjodha përfituese e pajisjeve bujqësore në vlerë 5000 euro”, tha ajo, për Ekonomia Online.

Kjo ngjarje është organizuar në kuadër të fushatës “Për ju, me ju”, e cila ka për qëllim promovimin e mbështetjes së Bashkimit Evropian në Kosovë. Deri më tani, falë mbështetjes së BE-së në sektorin e bujqësisë, më shumë se 500 të rinj janë punësuar, më shumë se 100 agro-biznese kanë krijuar standarde prodhimi të nivelit të BE-së, dhe rreth 80 biznese kanë ulur shpenzimet dhe ndotjen duke rritur efiçiencën e energjisë.

Pas ceremonisë që është mbajtur në Shtime, përfaqësuesit e Zyrës së BE-së, të IADK-së dhe të Komunës së Shtimes kanë vizituar Argjentina Bunjakun, njëra nga përfitueset e projektit.

Ajo u shpreh falënderuese që u mbështet me pajisje në biznesin e saj për përgatitjen e ëmbëlsirave. “Kam pasur shumë nevojë dhe e pata fatin të jem përfituese. Kam marrë furrën, frigoriferin, mikserin. Para një viti, në qershor, kam nisë punën, në shtator me kanë ardhur mjetet. Ta lehtësojnë punën shumë”.

Bunjaku tregon se gjithnjë e më shumë po shtohet puna. “Ka më shumë porosi. Nëse gjatë ditëve kam pasur tri torte, tash mund t’i bëj gjashtë. E kam motrën dhe nënën që më ndihmon. Kemi klientë edhe nga Ferizaj, Lipjan”.

Për këtë arsye, ajo po planifikon të punësojë dhe një person që do të bëjë transportimin e porosive. Madje, thotë se ka menduar që t’i kushtojë vëmendje dhe reklamimit dhe plasimit të produkteve në rrjetet sociale.

Florije Bislimi nga Godanci është një tjetër përfituese nga projekti i financuar nga Zyra e BE-së në Kosovë.

Falë edhe kësaj mbështetjeje, ajo tani posedon 350 krerë dele dhe ka mbjellë 6 hektarë me grurë e misër.

Bislimi tregon për Ekonomia Online se kishte nisur para tetë vitesh me 45 dele dhe se ndihmë kishte kërkuar edhe në Komunën e Shtimes, por ishte refuzuar vazhdimisht.

“Ne jemi si fermerë qe 8 vjet. Në fillim i kam pasë 45 copë dele dhe tash me këto mjete i bëj 350 copë”.

Ajo thotë se mjetet ia kanë lehtësuar shumë punën. “Prej BE-së kam marrë kosë, mbledhësen, frezat. Tash i kem 3 hektarë misër dhe 3 hektarë grurë”, tha Florije Bislimi.


Të ngjashme