Para 19 vjetëve, përkatësisht më 24 mars 1999, në orën 19:00, forcat e NATO-s kishin filluar sulmet ajrore kundër caqeve ushtarake, policore dhe paramilitare serbe në Kosovë dhe në Serbi.
Sulmet vazhduan për 78 ditë rresht, deri në dorëzimin e forcave serbe.
Po këtë ditë edhe vet presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, i ishte drejtuar popullit amerikan dhe botës me një fjalim.
“Po e bëjmë këtë për të mbrojtur mijëra njerëz të pafajshëm në Kosovë”, kishte thënë pos tjerash, Clinton.
Fushata e NATO-s kishte pasuar pas refuzimit të Beogradit për të nënshkruar marrëveshjen e negociuar në Rambouillet.
Fushata e bombardimeve nga ajri që zgjati 78 ditë, në tokë u shfrytëzua nga forcat serbe për sulme hakmarrëse kundër shqiptarëve.
Mbi 10 mijë veta u vranë, mbi 800 mijë u ndoqën nga Kosova, ndërsa rreth 5 mijë të tjerë në fund të luftës llogariteshin si të zhdukur.
Më 10 qershor, NATO-ja nënshkroi marrëveshjen me ushtrinë jugosllave për tërheqjen e tyre të plotë nga Kosova, ndërsa dy ditë më vonë trupat paqeruajtëse të KFOR-it hynë në Kosovë duke i dhënë fund luftës por edhe sundimit të Beogradit.
Institucionet e Kosovës 24 marsin e vlerësojnë si një ditë me rëndësi vendimtare për historinë e vendit dhe një nga ditët më domethënëse dhe më kuptimplotë për lirinë dhe për pavarësinë e Kosovës.
Vlerësimet për 24 marsin ndërkaq janë krejt ndryshe tek komuniteti serb dhe zyrtarët e Beogradit.
Autoritetet serbe, akuzojnë NATO-n se ka ndërhyrë në vitin 1999 për të krijuar, siç thuhet, shtetin e saj në Ballkan.