20 familje shqiptare të prekura nga uragani në Houston

Prishtinë | 30 Gus 2017 | 09:28 | Nga

Uragani që ka goditur Houstonin ka prekur edhe të paktën 20 familje shqiptare.

Ambasadorja shqiptare në Amerikë, Floreta Faber ka informuar përmes një postimi në Facebook se “janë të paktën 20 familje shqiptare të prekura totalisht nga kjo fatkeqësi natyrore duke iu rrembyer shtëpitë, makinat, dhe të gjithë pasurinë që ato kanë.”

Duke shpresuar thellësisht që të gjithë të mbeten jashtë rrezikut për jetën, ambasadorja e Shqipërisë në SHBA i inkurajon të ndihmojnë njëri tjetrin.

“Qyteti i Houstonit është akoma nën kërcënimin e faktorëve të natyrës, por edhe nën gjëndje emergjence për arsye të rritjes së kriminalitetit në qytet. Ju inkurajoj të bëni atë që shqiptarët bëjnë më mirë, të qëndroni sa më afër dhe ndihmoni njëri-tjetrin. Mos u ndjeni se jeni larg vendit, të afërmve apo miqve tuaj. Ju siguroj që vëmendja jonë është atje në Houston”, ka shkruar ajo, shkruan Ora News.

Në Houston komuniteti shqiptar përbëhet nga 500-600 familje.

Ambasada e Shqipërisë në SHBA ka vënë në dispozicion edhe numrat e kontakteve për rastet e emergjencave.

“Do ju vëmë në dispozicion të gjitha sa ne kemi mundësi. Jemi me mendje dhe me zemër bashkë me Ju!” e mbyll postimin e saj ambasadorja shqiptare në SHBA.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme