Qendra “Pompidou” në Francë, në të cilën gjendet koleksioni më i madh i artit modern në Europë, ka llogaritur humbjet e shkaktuara nga kriza e Koronavirusit dhe ato shkojnë 20 milionë euro. Por, drejtori i kësaj qendre, Serge Lasvgnes, ka një shqetësim më të madh për momentin. Si të rihapet aktiviteti në mënyrë të sigurt?
Plani i tij është fillimisht shitja e biletave online për të shmangur radhët e gjata në hyrje. Vetëm një drejtim në vizitën e ambienteve të brendshme të muzeut e orientuar nga shigjeta dhe guida turistike për ekspozitat e përhershme. Grupet e personave që bëjnë këtë tur nuk mund te jenë më shumë se 10 dhe sigurisht duhet të jenë të pajisur me maska. “Duhet t’i organizojmë vizitat sa më fluide të jetë e mundur”, thotë Lasvignes ndërsa stafi pastron zonat publike dhe përgatitet për rihapjen e planifikuar në datën 1 korrik.
Ndërsa Franca ka nisur dalë ngadalë rihapjen e asaj që mund të quhej një ndër kufizimet më strikte në Evropë, puna në shkallët e jashtme të muzeut ikonik ka nisur. Qendra “Pompidou” u projektua nga arkitekti britanik Richard Rogers dhe italiani Renzo Piano. Shumë parisienë e urryen atë në fillim. Kritikuesit e përshkruan ndërtesën si një fabrikë vaji si nga brenda ashtu edhe nga jashtë përpara se të niste dalëngadalë të fitonte zemrat e tyre.
“Ka një lloj lidhje të ngushtë mes Parisit dhe Qendrës “Pompidou”. Unë e kam parë kur mbërrita këtu, pas sulmeve të tmerrshme në Paris. Pamë njerëz që mbushnin muzeun. Një vit pas sulmeve tejkaluam numrin mesatar të vizitorëve. Unë uroj që qytetarët e Parisit do të duan të shkojnë sërish në qendrën “Pompidou” sepse për ta përmbledhur, është vërtet një eksperiencë gëzimi dhe një bashkim artistiko-social pasi është e lidhur thellë me mënyrën sesi ata jetojnë”, thotë Serge Lasvignes.
Kjo mund ta ndihmojë qendrën, që ndodhet pranë lagjes Marais në Paris, ta marrë veten shpejt nga rënia e turistëve të huaj, njësoj si në muzeun e Luvrit. Gjithsesi sipas Lasvignes, rikuperimi i plotë mund të zgjasë deri në vitin 2022. “Pompidou” do të prezantojë kalendarin e muajit korrik me një ekspozitë të Christo dhe Jean-Claude, artistë të cilët formojnë me mbështjellje rrobash dhe struktura që varen, si ura Pont Neuf në Paris apo Reichstag në Berlin.
Libraria e muzeut, restorantet dhe dyqanet do të hapen prej datës 1 korrik. Libraria, ku në përgjithësi studentët e qytetit kanë akses në miliona libra që ofrohen nga qendra, do të karantinojnë çdo libër për tre ditë pasi studentët ti kenë rikthyer. Kërkuesit do të duhet të prenotojnë takime, dhe numri i tyre në muze do të jetë i limituar. Lasvignes tregon se qendra “Pompidou” është përgatitur të hubasë dhe rreth 20 milionë euro të tjera nga mungesa e shitjes së biletave dhe abonimeve.