20-vjeçarja në Deçan tenton t’i japë fund jetës, konsumon mbidozë ilaçesh

Prishtinë | 20 Kor 2023 | 09:10 | Nga Ekonomia Online

Vetëvrasja është fenomen shqetësues në rritje në shoqërinë tonë. Faktorë rreziku që shtyjnë drejt këtij veprimi shpeshherë mund të jenë gjendja e rënduar psikologjike dhe emocionale, depresioni, ankthi, bipolarizmi, abuzimi me alkool dhe substanca narkotike e gjendja e vështirë ekonomike.

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në fshatin Dashnioc të Deçanit, ku një vajzë dyshohet se ka tentuar t’i japë fund jetës së saj.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan kanë bërë me dije se 20-vjeçarja është dërguar atje në gjendje të rëndë, për shkak se dyshohet se kishte konsumuar mbidozë ilaçesh.

Pas dhënies së ndihmës së parë, viktima është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal në Pejë.

Sinjali mëson se gjendja e saj vazhdon të mbetet e rëndë dhe e njëjta po trajtohet në repartin intensiv.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Në kuadër të veprimeve hetimore është marrë dëshmia e prindërve të vajzës, teksa nuk dihen edhe motivet që shtynë të renë të bëjë këtë veprim.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vetëvrasje në tentativë’.

Të ngjashme