“Masakra e Izbicës është një tjetër dëshmi e rrugës tonë drejt lirisë, një rrugë vërtetë e dhimbshme”, kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi bëri homazhe tek varret e 147 shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe në Izbicë, në 20 vjetorin e rënies së tyre, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri Haradinaj në mesazhin e tij, kujtoi viktimën më të re të kësaj masakre.
“Një nga viktimat e kësaj masakre ishte edhe Dafina, një vajzë e vogël, më pak se një vjeçe. Kjo dëshmon që Izbica ishte një ndër masakrat më makabre, që kanë ndodhë në Kosovë dhe të tilla, për fat të keq ka në të gjithë vendin”, tha kryeministri Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj tha se kjo masakër vërtetë është dëshmi se liria jonë ka një çmim shumë të madh, shumë të shtrenjtë dhe duhet të ruhet nga të gjithë, të ruhet e të forcohet.
“Lavdi e përjetshme të rënëve në Izbicë, por edhe për të rënët kudo në atdheun tonë”, tha kryeministri Haradinaj.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, pasi falënderoi kryeministrin Haradinaj dhe gjithë qytetarët, që sot po nderojnë martirë, viktimat, civilët e luftës në këtë 20-vjetor, tha se masakra e Izbicës është e njohur në mbarë botën.
“Duke nderuar të rënët, nderojmë vetveten dhe nderojmë të ardhmen e fëmijëve tanë. Lavdi e përjetshme për gjithë ata që ranë, që ne sot të jemi të lirë”, tha kryetari Jashari.
Po sot, Kryeministri Haradinaj do të marrë pjesë në akademinë përkujtimore në kujtim dhe nderim të viktimave të Izbicës.