2017-a, viti i Speciales

Prishtinë | 31 Dhj 2016 | 10:17 | Nga

Përfundimisht viti 2017 do të jetë ai kur edhe do të fillojnë gjykimet e para nga Gjykata Speciale me seli në Hagë (Holandë), ndërsa me vetë fillimin e gjykimeve të para nëse atje përballen me akuza zyrtarët e lartë politikë të cilësdo parti qoftë atëherë definitivisht do të ketë edhe ndryshime politike në Kosovë.

Kështu të paktën kanë vlerësuar njohësit e këtyre rrethanave, të cilët po ashtu kanë thënë se meqë gjykatat tona në asnjë rast nuk kanë denjuar të merren me këto raste, qoftë edhe të supozuara, ka ardhur për rrjedhojë krijimi i Gjykatës Speciale, ku përkundër kundërshtimeve për krijimin e saj, më në fund duke qenë me interes për vendin dhe zhvillimet demokratike të tij, ajo edhe është votuar nga Parlamenti i Kosovës.

Në këtë drejtim është shtuar edhe dilema se çfarë ndryshimesh do të sjellë në skenën politike dhe atë juridike viti 2017, kur priten edhe aktakuzat e arrestimet e para nga Gjykata Speciale, po ashtu do të realizohet reforma në drejtësi vitin që po vjen dhe të bëhet edhe ligji për dekriminalizimin?

Avokati Tomë Gashi në një prononcim për gazetën “Kosova Sot” ka thënë se definitivisht që nga viti 2015, kur është nxjerrë Ligji për Gjykatën Speciale dhe për Prokurorinë Speciale që selinë do të kenë në Hagë (Holandë) autoritetet e Kosovës, sipas tij, nuk kanë kurrfarë mundësie që të ndikojnë në fillimin apo mbarimin e punës së Gjykatës Speciale.

“Tanimë unë veç sa kam qenë një javë atje në një seminar-konferencë për Gjykatën Speciale në Hagë, ku janë duke u bërë përgatitjet, por jo përfundimtare, por sigurisht që kjo edhe pak do të zgjasë, mirëpo përfundimisht në 2017 do të fillojnë gjykimet e para, ndërsa me vetë fillimin e gjykimeve të para, nëse atje përballen me akuza zyrtarët e lartë politikë të cilësdo parti, atëherë definitivisht do të ketë edhe ndryshime politike në Kosovë”, theksoi ai

Priten ndikime në luftimin e krimit dhe korrupsionit avokati tjetër, Skender Musa, thotë se Gjykata Speciale pa dyshim se do të ketë ndikim edhe në sistemin e drejtësisë në përgjithësi në Kosovë, e posaçërisht në mënyrë të veçantë do të ketë ndikim në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Edhe gjykatat vendore, por edhe prokuroritë pas ndryshimeve që do të bëhen në kreun e tyre do të merren shumë më seriozisht me këto dukuri që po e shqetësojnë në vazhdimësi shoqërinë kosovare, mirëpo sa u përket ndikimeve në aspektin politik pa dyshim se në bazë të njohurive dhe informacioneve, që ne i disponojmë do të ketë edhe ndikim politik, për shkak se pritet që të akuzohen struktura mjaft të larta politike në Kosovë, që kanë pushtet aktual dhe për rrjedhojë kjo pa dyshim se ndikon edhe në skenën politike në përgjithësi”, ka vijuar Musa.

Por, më tej ai ka shtuar se sa i përket ndikimit të institucioneve të Kosovës në vendimmarrjen apo në hetimin e çështjeve nga Gjykata Speciale, në mënyrë absolute, sipas tij, organet e Kosovës nuk kanë asnjë lloj ndikimi në Gjykatën Speciale.

“Kjo e fundit do të veprojë në bazë të ligjit dhe plotësisht e pavarur nga tërë Kosova”, ka nënvizuar për gazetën “Kosova Sot” avokati Skender Musa.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme