22 raste aktive me COVID-19 në Kamenicë, 17 janë shëruar, Kastrati thotë se do ritestohen edhe disa tjerë

Prishtinë | 05 Maj 2020 | 14:43 | Nga Ekonomia Online

39 persona nga Kamenica janë konfirmuar deri më tani me virusin COVID-19. Nga ta janë shëruar 17, ndërkaq pritet që të ritestohen edhe disa të tjerë për të parë nëse janë shëruar nga koronavirusi. Kryetari i Kamenicës, Qendron Kastrati, tha për Express se për momentin s’ka mostra të reja që do të testohen

17 banorë të komunës së Kamenicës e kanë fituar betejën me virusin COVID-19.

Kryetari Qëndron Kastrati tha se në mesin e personave të shëruar janë edhe një foshnje dhe dy gra shtatzëna, të cilat ishin prekur me koronavirus.

 “Deri më tani i kemi pasur gjithsej 39 raste të konfirmuara me COVID-19. Nga ta janë shëruar 17 persona, në mesin e të cilëve është një foshnje, dy gra shtatzëna dhe një person i cili ka qenë më i ndjeshëm pasi ka pasur sëmundje të zemrës”, tha Kastrati.

Ai shtoi se gjatë javës pritet të ritestohen edhe disa persona për të parë nëse janë shëruar.

“Raste aktive në komunën tonë i kemi edhe 22. Gjatë kësaj pritet të testohen edhe disa persona për të parë nëse janë shëruar. Ndërkaq për momentin nuk ka mostra të reja që do të testohen”, tha Kastrati.

Kastrati shtoi se gjendja në Kamenicë është e qetë dhe se qytetarët po i respektojnë masat e vendosura nga Qeveria e Kosovës.

Ai po ashtu bëri të ditur se nuk vërehet dalje e madhe e qytetarëve, gjatë këtyre ditëve kur edhe janë lehtësuar masat nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ndërkohë, numri total i personave të prekur me COVID-19 në Kosovë ka shkuar në 855.

Nga ta janë shëruar 403, ndërkaq në tërë territorin e Kosovës kanë vdekur 26 persona

Të ngjashme