Që nga tetori i vitit 1999 deri në tetor të këtij viti janë zhvilluar 48 gjykime për krimet e luftës në Kosovë, janë akuzuar gjithsej 111 persona, ndërsa janë dënuar vetëm 39 persona.
Prej të dënuarve, 34 persona janë shqiptarë, katër persona serbë dhe një malazez, raporton EkonomiaOnline.
Këto statistika u bënë të ditura nga Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) në një konferencë për medie në të cilën u prezantua publikimi “Pasqyrë e gjykimeve për krimet e luftës në Kosovë në periudhën 1999-2018”.
Anka Kurteshi, koordinatore edhe autore e raport, bëri të ditur se në raport janë prezantuar lëndët ku procedura penale është ende në zhvillim e sipër.
“Gjykimet për këto lëndë kanë nisur pas aktakuzave të prokurorëve ndërkombëtar dhe vendor, por tani për ato janë kompetent bartësit lokal të funksioneve gjyqësore,” tha Kurteshi.
Ajo theksoi se ky raport do t’i shërbejë si burim i besueshëm prokurorëve dhe gjyqtarëve kosovarë pas marrjes së kompetencave nga EULEX-i, raporton EO.
“Ajo do të jetë edhe një burim i besueshëm i informacionit për gjykatësit dhe prokurorët vendor, që nga EULEX-i kane marrë kompetencat për procedimin e gjykimeve për krime lufte. Po ashtu, mediet do të kenë për herë të parë qasje komplete në këto lëndë, që janë prezantuar kronologjikisht sipas datës së aktakuzës”.
Sipas saj, pasqyra e gjykimeve për krime lufte do të përbënte ndihmëse të madhe për publikun profesional, studentët, profesorët si dhe hulumtuesit akademik në Kosovë dhe më gjerë, sidomos ata që merren me impaktin e misioneve ndërkombëtare mbi sistemin e pushtetit të ligjit në Kosovë.
Amer Alija nga ky fondacion, gjatë paraqitjes së statistikave bëri të ditur se prej 48 lëndëve, 25 prej tyre janë ndaj shqiptarëve, 19 ndaj serbëve, 3 lëndë ndaj malazezëve dhe një lëndë ndaj pjesëtarëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.
Sipas tij, 61 shqiptarë janë akuzuar për krime lufte, 44 serbë, 5 malazezë dhe një pjesëtar nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.
Ai bëri të ditur se 24 persona të akuzuar janë në arrati, raporton EO.
“Pjesë e këtij publikimi janë edhe lëndët që kanë të bëjnë me një numër të akuzuarish, të cilët pas ngritjes së aktakuzës kundër tyre janë arratisur nga paraburgimi në Mitrovicë apo nga spitali i Mitrovicës gjatë viteve 2000 dhe 2001”.
“Për të gjitha këto lëndë që janë prezantuar këtu, dënimet shkojnë nga 5 deri në 15 vjet”.