Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, në ditën Ndërkombëtare të të pagjeturave ka bërë homazhe para lapidarit të personave të pagjetur afër Kuvendit të Kosovës.
Ai ka kërkuar që të punohet për zbardhjen e fatit të personave për të cilët tash e 17 vite nuk dihet asgjë.
”Sot është dita ndërkombëtare e të pagjeturave për të bërë homazhe për njerëzit e pagjetur. Po punojmë që të zbardhet fati i të pagjeturve, çdo familje është prekur nga kjo dhimbje dhe është një plagë që na mundon të gjithëve, por me një vullnet të bashkësisë kombëtare kjo çështje mund të zgjidhet. Ne do t’i shërojmë këto plagë bashkarish”, ka thënë Thaçi.
Ai tha se institucionet e Kosovës po punojnë maksimalisht që të zbardhet fati i të pagjeturve, një çështja, siç tha ai, që preokupon të gjithë në vend, bartësit e institucioneve, shoqatat qytetarët, çdo familje që është prekur nga kjo dhimbje e rëndë.
“Sot, si president i vendit, shpreh sërish solidaritet të plotë me familjet e të pagjeturve, por njëherësh edhe zotimin dhe përgjegjësinë për të punuar edhe më tepër që sa më shpejtë të zbardhet fati i çdo të personi të zhdukur”, ka thënë presidenti Thaçi, i cili shtoi se “është një plagë kjo e cila na mundon të gjithëve, dhe mund të them lirisht se vetëm me shpresë, optimizëm dhe besim të ndërsjellë kjo çështje mund të zgjidhet me një vullnet dhe një mbështetje të fuqishme edhe të bashkësisë ndërkombëtare”.
I pari i vendit falënderoi edhe Komisionin Qeveritar për Personat e Pagjetur për angazhimin maksimal, për durimin, vullnetin dhe kurajën e dhënë për të gjithë.
“Prandaj, këtë plagë të luftës ne do ta shërojmë vetëm si të bashkuar, vetëm duku qenë solidar më njëri-tjetrin, duke kuptuar njëri-tjetrin dhe duke punuar drejt një bashkëpunimi, drejt një besimi, e në të ardhmen, natyrisht, të ndërtojmë një Kosovë të re, një Kosovë evropiane, një Kosovë euroatlantike”, u shpreh presidenti Thaçi.
Ndërkaq, Bajram Qerkini, kryetar i Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve të Kosovës, tha se “ne edhe sot do të shkojmë në Merdare, jemi të prekur nga kjo plagë. Por, edhe fjalët e presidentit, edhe mbrëmë edhe sot, janë se këto dy plagë duhet sa më shpejtë të mbyllen”.
Qerkini tha se të gjithë pranë këtij këshilli besojnë dhe shpresojnë se kjo çështje me të vërtetë do të merret seriozisht, e posaçërisht pas konkluzave të thukëta në një tryezë të djeshme ku, siç tha ai, janë dhënë disa rekomandime të cilat do t’ua përcjellin të gjithëve.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ritheksoi se deri sa të shërohet kjo plagë e tërë Kosova do të vuajë nga kjo e kaluar e dhimbshme për çdo qytetar të vendit, për institucionet, por para se gjithash për familjarët. “Do të jemi gjithmonë pranë tyre”, përfundoi presidenti Thaçi.