Asamblistët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje kanë shprehur pakënaqësinë rreth buxhetit të Komunës së Prishtinës, raporton Ekonomia Online.
Sipas opozitës në qeverisjen komunale të kryeqytetit, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, nuk ka planifikuar mirë buxhetin dhe ka keqmenaxhuar me të.
Në Komunën e Prishtinës ku ka filluar diskutimi për shqyrtimin e raportit financiar buxhetor të Komunës për periudhën 1 tetor deri më 31 dhjetor 2018 dhe 1 janar deri 31 dhjetor 2018, asamblisti i LDK-së, Halim Halimi nga LDK-ja, tha se kryetari i Komunës së Prishtinës ka detyra parësore për ta larguar komunën nga ky kolaps.
Sipas tij, kurrë më keq nuk ka pasur shpenzime komuna, ku nga 86 milionë të parapara , janë harxhuar vetëm 61 milionë.
“Kurrë me keq komuna nuk i ka pas shpenzimet prej ku prej 86 milionë të parapara janë harxhuar 61 milionë dhe kanë mbet 25 milionë mjete të pashpenzuara dhe këto që janë shpenzuar janë shpenzime komunale, subvencione, mallra e shpenzime ku u puna apo jo pagat shkojnë dhe shërbimet për inventar të komunës por shpenzime për investime kapitale që kanë mbet 21 milionë pa u shpenzuar, këto që kanë mbet na lënë me kuptuar se ka pasur keqplanfikim dhe keqmenaxhim sepse po të menaxhoheshin me kohë investimet kapitale sot nuk do ta kishim gjendjen siç e kemi me 25 milionë mbetje”, tha Halimi.
Sipas Halimit, tek shpenzime kapitale duhet të identifikohet faktorët që kanë ndikuar tek mosrealizimi i buxhetit kapital.
“Tek shpenzimet kapitale jemi tepër të pakënaqur duhet identifikuar faktorët që kanë ndikuar tek mosrealizimi i buxhetit kapital dhe të merr masa se ku është faji tek drejtoret apo planifikimi, është çështje e kryetarit ta dijë këtë”, tha ai.
Ankesa nga LDK-ja pati edhe për mungesë të investimeve në infrastrukturën e Komunës. Halimi shtoi se Ahmeti duhet të merret me punët e Komunës dhe ta kryej obligimin ndaj votuesve të tij.
“Nuk është investuar për rrugë, për çerdhe për kolektor ku dihet se lagjja Kalabria dihet në çfarë gjendje është, me teprua mjetet në këtë mënyrë është e papranueshme. Kemi drejtori që buxhetin e kanë shpenzuar vetëm 7% pse vetëm kaq, prandaj kryetari i komunës ka punë parësore të merret me Komunën e ka obligim për votat dhe jo ta lë në këtë gjendje komunën”, shtoi ai.
Halimi tha se komunë në luks ka shpenzuar më shumë se sa që ka pasur të planifikuar.
“Në shpenzime të luksit komuna ka avancuar në shërbime bile i ka tejkaluar, për dreka ka pas të planifikuara 25 mijë ndërsa i ka shpenzua 30 mijë, për telefona ka pas të planifikuar 75 mijë ndërsa 83 mijë janë shpenzuar, karburante 13 mijë euro më shumë se sa të planifikuara, qiraja për vetura 300% më shumë nga ajo që ka qenë e planifikuar”, tha Halimi.
Edhe Mirsad Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje, kishte të njëjtat komente në lidhje me këtë ku nuk ishte i kënaqur me shpenzimet buxhetore që janë bërë në këtë periudhë kohore.