25 vjet nga masakra në burgun e Dubravës, Haxhiu: Zotohemi se do të ketë drejtësi

Dubravë | 22 Maj 2024 | 12:34 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Është shënuar 25 vjetori i njërës prej masakrave me të mëdha në Kosovë, ajo e burgut të Dubravës, brenda të cili janë vrarë rreth 120 të burgosur shqiptarë dhe janë plagosur më shumë se 300 të tjerë, raporton Ekonomia Online.

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, këtë masakër e ka quajtur projekt të Serbisë për zhdukjen e shqiptarëve.

“Projekti gjenocidal i Serbisë për zhdukjen e shqiptarëve në Kosovë hyri edhe brenda Burgut të Dubarvës. Kjo ndërtesë u kthye në kamp të përqendrimit politik me mbi 980 politik shqiptarë vetëm për shkak të bindjeve të tyre politike”, tha Haxhiu.

Për këtë masakër, sikurse edhe për shumë të tjera, ende nuk është vendosur drejtësia, për t’i dënuar kriminelët që i kryen ato.

Por, ministrja Haxhiu, u zotua se do të bëjnë gjithçka që të ketë drejtësi.  

“Deri më tani as drejtësi vendore e aq më pak ajo ndërkombëtare nuk kanë arritur t’i dënojnë kriminelët që e organizuan planin e kësaj masakre. Masakra e Dubravës është trajtuar vetëm në procedurën gjyqësore kundër Sllobodan Millosheviit, i cili vdiq pa u dënuar. Me lejoni që të ju informoj që në lidhje me masakrën e Dubravës tashmë po zhvillohen hetime nga Prokurori Speciale dhe në këtë moment janë 40 të pandehur dhe në fund të vitit të kaluar Prokuroria Special ka ngritur aktakuzë kundër një të dyshuari. Nga këtu do të zotohemi që të ketë drejtësi”, theksoi ajo.

I mbijetuari i kësaj masakre Nait Hasani, në emër të të mbijetuarve të kësaj masakre ka thënë se edhe pas 25 vite, ende nuk është vendosur drejtësi për vrasësit e kësaj masakre.

“Kjo masakër e shtetit serb sa kohë e minuta ka zgjatur as kush s’ka mundur të di. Kjo vrasje ka zgajtur aq gjatë deri sa kanë dashur kriminelët serb. Ky krim e kjo masakër është ngjarja më e rend kriminale në histori që nga Lufta e Dytë Botërore, Kampi i përqendrimit i Aushvicit. Në këtë masakër mbeten të vrarë e të plagosur 117 të vrarë e 300 të plagosur. Kjo vrasje është gjenocid i shtetit serb, mbi të burgosurit politik shqiptar, është hakmarrje mbi të burgosurit e UÇK dhe vrasje e të burgosurve shqiptar. Mendojmë se kjo masakër është krim lufte dhe kryerësit duhet te gjykohen dhe dënohen nga gjykata e Kosovës”,

E ish-komandanti i luftës së UÇK-së, Daut Haradinaj, tha se masakra e Dubravës, shpërfaq fytyrën e vërtetë të Serbisë. E në raport me këtë shtet, Haradinaj kërkoi nga spektri politik që të jenë unik.

“Të mbijetuarit e kësaj masakre që për mua jeni heronj të gjallë të një të vërtete që ka shpërfaq fytyrën kanibalë të Millosheviqit. Njerëz u pushkatuan në mënyrën më mizore të mundshme vetëm pse ishin shqiptar dhe kishin të drejtën e vetë me kërkuar që të jetojnë të lirë në vendin e vetë. Ne në as një rrethanë nuk duhet ta mohojmë dhe ta fshehim të vërtetën e krimeve makabre serbe mbi popullin tonë. Edhe këtu para këtyre heronjve që jemi mbledhur sot me i nderuar duhet bërë thirrje që në raport me Serbinë të jemi unik, të jemi të bashkuar, të jemi të një zëri ashtu siç ishim në luftë se vetëm ashtu mund të ja japim hakun edhe këtyre burrave që sot përkujtojmë dhe rreth 13 mijë shqiptarëve që ranë në luftën e fundit”, tha Haradinaj.

Masakra e burgut të Dubravës është kryer prej 19 deri më 24 maj të vitit 1999.

Të ngjashme