Edhe 4.4 milionë amerikanë kërkuan përfitime nga papunësia javën e kaluar, përderisa numri papunësisë po vazhdon të rritet si pasojë e pandemisë Covid-19.
Aplikimet e reja e çuan numrin e përgjithshëm të kërkesave për papunësi që nga mesi i muajit marsit në 26.4 milionë.
Kjo përbën më shumë se 15% të fuqisë punëtore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sidoqoftë, të dhënat e fundit shënuan javën e tretë që numri i kërkesave të reja ka rënë – një shenjë se më e keqja nga tronditja mund të ketë mbaruar.
“Përderisa 4.4 milionë kërkesa të papunësisë të kësaj jave janë tronditëse, ka shenja që ritmi i pushimeve nga puna ka arritur kulmin”, tha Richard Flynn, drejtor menaxhues në Mbretërinë e Bashkuar në firmën e shërbimeve financiare Charles Schwab.
“Pyetjet kryesore në këtë pikë janë kur mund të rihapet ekonomia dhe çfarë do të ndodhë më pas?”.
Ekonomistët kanë paralajmëruar se bota po përballet me rëmien më të rëndë ekonomike qënga Depresioni i Madh i viteve të 30’ta.
Në SHBA, ekonomia pritet të kontraktojë 5.9% këtë vit, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar. Rritja e kërkesave për papunësi gjatë gjashtë javëve të fundit tejkalon numrin e krijuar në pothuajse dekadën e zgjerimit që përfundoi në shkurt.
Si përgjigje, qeveria amerikane ka aprovuar më shumë se dy trilionë dollarë për fonde shpëtimi, duke zgjeruar aftësinë për përfitime të papunësisë dhe duke rritur pagesat.