Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka urdhëruar tërheqjen e menjëhershme nga tregu të qumështit UHT “Land” 3.2%, i prodhuar nga Qumështorja VITA, gjegjësisht ABRAZEN L.L.C., pasi autoritetet kompetente të Maqedonisë së Veriut kanë konstatuar prani të aflatoksinës M1 mbi nivelin e lejuar.
Autoritetet maqedonase kanë njoftuar për konstatimin e nivelit të tejkaluar të aflatoksinës M1 në këtë produkt, ndërsa sipas informacioneve të AUV-së, rreth 27 tonë qumësht me aflatoksinë janë asgjësuar në Maqedoninë e Veriut.
Pas pranimit të informacionit zyrtar, AUV ka urdhëruar heqjen nga tregu i Kosovës të qumështit UHT “Land” 3.2% të identifikuar si të prekur dhe ka nisur kontrollin zyrtar dhe verifikimin e gjurmueshmërisë së produktit.
AUV ka bërë të ditur se masa është ndërmarrë në përputhje me Ligjin për Ushqim, sipas të cilit ushqimi konsiderohet i dëmshëm dhe jo i sigurt për konsum kur përmban mykotoksina mbi kufijtë e lejuar.
Ndërkohë, AUV, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrinë e Shëndetësisë, do të përcaktojë masat e mëtejshme ndaj stabilimentit RKS-014 – ABRAZEN L.L.C. (Qumështorja Vita).
AUV ka njoftuar se opinioni publik do të informohet për masat dhe zhvillimet e mëtejshme lidhur me këtë rast.
Shërbimet inspektuese të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Maqedonisë së Veriut kanë ndaluar javën e kaluar importin nga Kosova të dy dërgesave me qumësht UHT, me peshë totale prej 27 mijë e 520 kilogramësh, për shkak të pranisë së aflatoksinës mbi kufijtë e lejuar.
Sipas autoriteteve maqedonase, qumështi ishte destinuar për shitje në një zinxhir marketesh në Maqedoninë e Veriut. Pas konstatimit të mospërputhjes me standardet e sigurisë ushqimore, e gjithë sasia është asgjësuar nën mbikëqyrjen e veterinerit zyrtar në deponinë “Drisla”.
Mostrat për analiza laboratorike janë marrë në kuadër të Programit të Monitorimit, përmes të cilit kontrollohen dërgesat e ushqimit me origjinë shtazore që importohen në Maqedoninë e Veriut.