Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka bërë dorëzimin e kontigjentit të parë të pajisjeve të reja të blera për të gjitha klinikat e QKUK-së.
Shuma totale e pajisjeve të cilat do të blihen brenda këtij viti kap vlerën e 3.5 milionë eurove, ndërsa sot në QKUK janë dorëzuar dhjetëra pajisje të cilat kanë qenë me prioritet për klinikat.
Shumë prej këtyre pajisjeve kanë munguar prej vitesh në QKUK, e disa të tjera nuk kanë ekzistuar asnjëherë.
Histeroskop, thika ultrasonografike, monitorë për pacientë, ultrazëra, Gastroskop, Kolonoskop, EKG, Pacemaker, Aspiratorë, nxemse për pacientë e shumë pajisje të tjera.
Ministri Uran Ismaili, me këtë rast, ka thënë se me blerjen e këtyre pajisjeve synohet modernizimi i QKUK-së dhe ofrimi i shërbimeve në institucionet publiket shëndetësore për qytetarët tanë.
“Nga viti 2012 në QKUK nuk janë blerë pajisje në këtë masë. Rrjedhimisht, në mungesë të pajisjeve, shumë shërbime nuk janë bërë më këtu dhe qytetarët janë orientuar nëpër klinikat private. Me blerjen e pajisjeve të reja, ne po rifunksionalizojmë shërbimet në spitalet publike, po mbrojmë qytetarët nga varfëria dhe po rikthejmë besimin te institucione tona”, ka thënë ministri Ismaili.
Ai ka shtuar se ky është vetëm kontigjenti i parë dhe se do të ketë edhe disa të tillë, duke vazhduar kështu deri në modernizimin e aparaturës në QKUK.
Edhe drejtori i ShSKUK-së, Basri Sejdiu, u shpreh i lumtur me ardhjen e pajisjeve të reja.
“Këto pajisje na ndihmojnë shumë ofrimin e shërbimeve të cilat nuk janë bërë për vite me radhë në QKUK. Tani edhe mjekët por edhe pacientët do të jenë më të sigurt, do të ruajmë xhepin e qytetarëve dhe buxhetin e shtetit”, ka thënë ai.
Deri në fund të këtij viti pritet që të vijnë edhe qindra shtretër me dyshekë, tavolinat operative, CT-ja e re, lampa operative etj.