Tentativa për të vrarë me armë zjarri 20-vjeçarin Arni Sulejmani mëngjesin e sotëm në një dhomë hoteli në autostradën Tiranë-Durrës duket të mos jetë një krim banal rruge.
Bashkë me të, në dhomë ishin dy djem dhe një vajzë që ndodheshin prej disa orësh aty, por për arsye ende të paqarta në drejtim të tij është qëlluar me armë nga Markeljan Beqiri, i cili e ka lënë të plagosur.
Fill pas ngjarjes, Markeljan Beqiri dhe Tefik Shehu janë larguar nga dhoma e hotelit sipas policisë, ndërsa 20-vjeçarja Anxhela Brisku ka marrë dhe ka fshehur armën e 26-vjeçarit, me të cilën ai tentoi të vrasë Arni Sulejmanin.
Me të shkuar në vendin e ngjarjes pasi ishte njoftuar për të shtëna, policia ka gjetur mes gjakut Sulejmanin, ndërsa ka arrestuar edhe një 66-vjeçar, i cili dyshohet se ka fshehur të rënë. Pas verifikimeve, policia zbuloi se 66-vjeçar ishte recepsionisti i hotelit, raporton abcnews.al
Nga të dhënat paraprake, policia zbuloi se të katër të rinjtë e gjendur në dhomën e hotelit mbrëmjen dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm, ishin shokë me njeri-tjetrin.
Njoftimi i policisë:
Zbardhet ngjarja e ndodhur mëngjesin e sotëm, në ambientet e dhomës së një hoteli, ku mbeti i plagosur një shtetas.
Tentoi të vriste me armë zjarri 20-vjeçarin, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar i ngjarjes.
Në kërkim edhe një shtetas tjetër, për moskallëzim krimi.
Arrestohet në flagrancë 22-vjeçarja që fshehu armën e zjarrit dhe 1 shtetas tjetër që strehoi 22-vjeçaren, pas ngjarjes.
Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë që është përdorur në ngjarje.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në ambientet e dhomës së një hoteli në autostradën Durrës-Tiranë, ishte plagosur me armë zjarri një shtetas, kanë organizuar menjëherë punën për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar se në ambientet e dhomës së një hoteli, në të cilën kanë qenë shtetasit M. B., T. Sh., A. B. dhe A. S., shtetasi M. B. ka tentuar të vrasë me armë zjarri, shtetasin A. S., 20 vjeç, banues në Durrës, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Në vijim të veprimeve hetimore 26-vjeçari M. B., banues në Durrës, është shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Në kërkim është shpallur edhe shtetasi T. Sh., 32 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim krimi”.
Gjithashtu janë arrestuar në flagrancë shtetasit:
A.B., 22 vjeçe, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Moskallëzim krimi”. Kjo shtetase, menjëherë pas ngjarjes, ka marrë armën e zjarrit dhe e ka fshehur në pjesën e pasme të hotelit;
E. H., 66 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi ka strehuar shtetasen A. B., ndërkohë që ka patur dijeni për ngjarjen.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë që është përdorur në këtë ngjarje.
Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme.