Fondacioni Frutex & Golden Eagle shënon 10-vjetorin e themelimit të tij, duke përmbyllur një dekadë angazhimi të vazhdueshëm në mbështetje të komunitetit shqiptar në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe në të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarë.
Fondacioni u themelua në vitin 2015, me iniciativën e z. Shaqir Palushi, pas vendimit të kompanisë Frutex për të institucionalizuar kontributin e saj shoqëror përmes Fondacionit Frutex & Golden Eagle.
Që nga viti i themelimit, fondacioni ka investuar mbi 3 milionë euro në projekte me ndikim të drejtpërdrejtë social. Aktiviteti i parë i fondacionit, në vitin 2015, ishte ndarja e 100 bursave për studentë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës. Në vitin pasues, fondacioni realizoi përzgjedhjen dhe ndërtimin e 7 shtëpive për familje në nevojë në të gjithë territorin e Kosovës.
Në vitin 2022, Fondacioni Frutex & Golden Eagle mori vendimin për ndërtimin e një fabrike sociale, ku do të punësoheshin ekskluzivisht persona me nevoja të veçanta. Ky projekt u jetësua në vitin 2023 dhe sot në këtë fabrikë janë të punësuar 12 persona me aftësi të kufizuara, duke krijuar një model të qëndrueshëm të përfshirjes sociale.
Mbrojtja e ambientit dhe e hapësirave të gjelbra është shndërruar në një nga prioritetet kryesore të fondacionit. Në vitin 2024 u lansua projekti Golden Eco, i cili aktualisht numëron 7 të punësuar dhe realizon aktivitete të shumta në mbrojtje të mjedisit dhe ndërgjegjësim ambiental.
Fondacioni Frutex & Golden Eagle mbetet i përkushtuar që edhe në vitet në vijim të vazhdojë investimet në arsim, strehim, përfshirje sociale dhe mbrojtje të ambientit, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë.
Në vijim janë paraqitur të gjitha aktivitetet e fondacionit gjatë këtyre 10 viteve.

