Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Lika ka raportuar në Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturё, Rini dhe Sport në lidhje me organizimin e mësimit në distancë gjatë periudhës së pandemisë, raporton Ekonomia Online.
Nga aty, Ministri Lika ka deklaruar se rreth 32 mijë nxënës nuk janë përfshirë në mësimin online nga distanca, kjo si shkak i gjendjes jo të mirë ekonomike.
Sipas ministrit Lika, nga raporti është parë se mësimdhënësit nuk kanë qenë të përgatitur për mësim online. Por, thotë ai se kjo do të jetë mundësi që vendi të shkoj drejt digjitalizimit.
“Vendimmarrja ka qenë e shpejt me shumë sfida por është tejkaluar në masë të caktuar. 89.4 për qind e nxënësve kanë qenë pjesëmarrës në mësimin online kurse 32 mijë nxënës nuk kanë qenë të përfshirë në mësimin online nga distanca për shkak se nuk kanë pasur pajisje teknologjike”.
“MASh i ka përgatit 7 udhëzues për mësimin në distancë, ndërsa më vonë edhe për mësimin gjithëpërfshirës dhe fëmijët me nevoja të veçanta. Janë kyç shpejt dhe gjithçka ka shkuar në rregull”.
“MAShT nuk e ka specifikua kurrikulen dhe nuk ka dhënë udhëzime se si të shtjellohen lëndët mësimore. Mësimi në distancë është një mundësi e Kosovës për të kaluar në digjitalizim”.
Lika deklaroi se ajo se çfarë e ka befasuar ministrinë ka qenë mos-përgatitja e mësimdhënësve për mësimin online.
Kurse sa i përket testit të arritshmërisë tha ai se do të mbahet duke respektuar manualin e MSh-së.
“Qasja duhet të përshtatet e jo sipas kurrikulës, lëshimet janë bërë në pjesë të madhe për shkak kohës së shkurtër e ngarkesës së madhe, kushteve teknike, mësimdhënësit nuk kanë qenë të përgatitur”.
“Duhet të përgatitemi për në shtator në afat mesëm për të zhvilluar përmbajtjen elektronike. Kam kërkuar raporte nga inspektorati i arsimit, e kanë përcjell gjendjen në terren ku kanë dhënë rekomandime”.
“Duhet të vazhdohet me testin e arritshmërisë duke respektuar manualin nga Ministria e Shëndetësisë”, u shpreh ai.
“Do të punoj me inspektoratin dhe shpejt do të bëjmë publik konkursin për inspektor. Kemi procedura burokratike të prokurimit, afër 1 milion euro kemi lëshuar në dispozicion për t’i furnizua me tableta, por është vështirë me u mbulua”.
“Kemi bëre një plan konkret për shtator se çfarë do të bëjmë. Do të ofrojmë zgjidhje për ata që nuk kanë pasur qasje. Viti shkollor nuk duhet të humbet”.
Anëtari i komisionit nga VV-ja, Jahja Koka ka fajësuar ministrinë për problemet me tekstet shkollore, ai tha se teksti duhet të jetë i lidhur me programin.
Shpejtim Bulliqi nga VV-ja, kërkoi të dijë se përse arsimi universitar nuk është përfshirë në raport, derisa tha se mbetet shqetësuese numri i madh i mospërfshirjes së nxënësve në mësim.
Bulliqi kërkoi inspektim gjatë mbajtjes së mësimit të klasave të nënta, pasi tha ai se nuk ka pajisje mbrojtëse për mësimin fizik e kjo sjell rrezik, raporton EO.
Teuta Haxhiu nga AAK-ja u interesa se çfarë do të ndodhë në shtator për udhëheqjen e mësimit online, derisa theksoi se gjatë kësaj kohë një kompani private e ka ofrua mësimin online.
Anëtari i komisionit nga PDK-ja, Sejdi Hoxha ka fajësuar Qeverinë për keq menaxhim të mësimit online të cilin e quajti dështim për numrin e madh të mos përfshirjes së nxënësve.
Ai tha se Qeveria është dashur të paguaj internetin dhe ofrimin e pajisjeve teknologjike.
Hoxha kërkoi të dijë se sa i ka kushtuar buxhetit të shtetit mësimi online.
“…a janë ndjekur procedurat e prokurimit?”.
Eliza Hoxha nga PDK-ja kërkoi qe nxënia e mësimit të bëhet te fëmijët me nevoja të veçanta pasi tha se është e rëndësishme te kjo kategori.
Frashër Demaj nga LDK-ja pyeti se çfarë nëse nuk do të ketë rezultate të testit të arritshmërisë dhe maturës, nxënësit do ta humbasin vitin.
Fitim Uka nga VV-ja ka kërkuar të dijë se a ka ministria plan konkret për mësimin online dhe arritshmërinë e nxënësve.
“Cilat janë objektivat e mësimdhënies, a kemi kapacitete që të kthehemi?”.