Komuna e Vushtrrisë dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal (MZhR) kanë nënshkruar marrëveshje për bashkëfinancimin e ndërtimit të parkut rekreativ “Udha e Gurit”, projekt që kap vlerën e 329 mijë e 418 eurove, raporton Ekonomia Online.
Nënshkrimi u bë sot ndërmjet kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, dhe ministrit Fikrim Damka.
Idrizi dha detaje se çfarë përfshin projekti, për të cilin MZhR-ja do të ndajë 200 mijë euro.
“Sot kemi nënshkruar marrëveshje me ministrin Damka për financimin e një shëtitoreje, ku do përfshihen dhe hapësira të gjelbra, kënd i lojërave, dy fusha tenisi, dhe një fushë multifunksionale për sporte të tjera; me vlerë mbi 329 mijë euro, nga të cilat 200 mijë euro janë dhënë nga ministria”.
“E falënderoj ministrin Damka, i cili po e mbështet vazhdimisht komunën e Vushtrrisë”.
Ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka tha se kjo është hera e dytë që kjo ministri bashkëpunon me Komunën e Vushtrrisë, duke thënë se është i lumtur për arritjen e kësaj marrëveshje që do ndihmojë në zhvillimin më të mirë të komunës së Vushtrrisë.
Projekti është dyvjeçar dhe bashkëfinancohet nga MZhR-ja dhe Komuna e Vushtrrisë.