Rreth 33 punonjës të Qendrës Shëndetësore Epidemiologjike kanë nisur grevën, pas pretendimit se nuk kanë marrë ende pagat e luftës dhe nuk janë paguar për punën e bërë jashtë orarit. Prej më shumë se dy muajsh në vijën e parë kundër luftës me Covid-19, epidemiologë dhe punonjës të tjerë kanë rrezikuar më shumë se gjithë të tjerët shëndetin duke u kujdesur për pacientët e sëmurë me Coronavirus.
Zija Alhysa, kreu i Sindikatës së shëndetësisë dhe punonjës, sipas Balkan Web-it pretendon se që prej 26 nëntorit, ky grup nuk ka marrë ende pagat për punën e kryer jashtë orarit.
“Ditën e sotme jemi ngritur në grevë. Jemi 33 punonjës të Qendrës Shëndetësore Epidemiologjike pasi ne nuk kemi përfituar asnjë pagë siç parashikohej për mjekët dhe infermierët që janë në vijën e parë të luftës me Covid-19. Nuk ka mjaftuar kjo, por ditën e sotme sapo është marrë vesh për grevën tonë, është ushtruar presion në këtë qendër që të mos dilnin në grevë.
Punonjësit janë izoluar në qendër dhe nuk dalin për të punuar, por as për mediat për shkak të kërcënimeve me vendin e punës. Ndërkohë ende nuk na janë paguar orët shtesë që kemi punuar në 6 muajt e fundit.”- u shpreh ai.