33 për qind e buxhetit shpenzohet përmes prokurimit publik

Prishtinë | 03 Mar 2017 | 12:22 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qeveria e Kosovës ka prezantuar Strategjinë e Prokurimit Elektronik, e cila u vlerësua si shumë e rëndësishme, pasi mbi 33 për qind e buxhetit të Kosovës në vit, shpenzohet për investime kapitale ose investime tjera, për të cilat zhvillohen procedurat e prokurimit publik.

Në këtë ngjarje merrnin pjesë kryeministri Isa Mustafa; ministri i Financave, Avdullah Hoti; kryetari i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Safet Hoxha, përfaqësuesit e tjerë të fushës së prokurimit publik, përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore, Komisionit Evropian, të komunitetit të bizneseve, e të tjerë.

Kryeministri Mustafa tha se Strategjia Kombëtare e Prokurimit Publik për periudhën 2017-2021, është një prej strategjive shumë të rëndësishme për vendin tonë.
“Konsideroj se është fjala për një strategji, e cila i plotëson të gjitha kriteret dhe mund të ndikojë në përmirësimin e këtij procesi që është shumë i rëndësishëm për ne, nga vetë fakti që edhe në strategji është vlerësuar se diku nga 9-12 për qind e bruto produktit vendor kapërcen përmes procedurave të prokurimit publik dhe është pjesë e prokurimit publik ose mbi 33 për qind e buxhetit të Kosovës në vit, shpenzohet për investime kapitale ose investime tjera, për të cilat zhvillohen procedurat e prokurimit publik. Për ne është e rëndësishme që pastaj të përplotësohen këto komponentë që janë përfshirë në strategji, që është komponenta e efikasitetit dhe e transparencës, të cilën ne dëshirojmë ta rrisim edhe njërën edhe tjetrën. Pastaj, të ngritjes së kapaciteteve, të harmonizimit të legjislacionit me legjislacionin evropian, të zhvillimit të sistemit të komunikimit ndërmjet palëve në këtë proces dhe me komunitetin, në mënyrë që të gjitha veprimet të jenë transparente, deri te aplikimi i prokurimit elektronik, që është një fazë shumë e rëndësishme për ne”, tha kryeministri.

Më tej, kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që të bashkëpunojë dhe përkrahë të gjithë akterët e përfshirë në këtë proces, Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, AQP-në (Agjencia Qendrore e Prokurimit), Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik, por edhe Ministrinë e Financave, në mënyrë që ky proces të jetë sa më efikas dhe sa më transparent.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti tha se avancimi i sistemit të prokurimit publik është prioritet i Qeverisë së Kosovës.
“Kryeministri e ka vendosur  nga dita e parë e qeverisjes si prioritet kryesor. Si rezultat prokurimin publik ne e kemi bërë pjesë të programit tonë qeverisës 2015-2018, pastaj këtë e kemi artikuluar me aktivitete konkrete në Strategjinë Kombëtare Zhvillimore dhe përfundimisht në planin e reformave ekonomike si pjesë e reformave për integrimin evropian të Kosovës”, tha ministri Hoti.

Ministri Hoti, me tej foli edhe për rëndësinë e prokurimit publik.  “E para është se një pjesë e konsiderueshme e bruto produktit vendor kryhet përmes aktiviteteve të prokurimit, ndërkaq një pjesë shumë e madhe e buxhetit të shtetit kalon përmes procedurave të prokurimit publik. Kjo është shumë e rëndësishme për një sistem efikas, llogaridhënës dhe plotësisht transparent. Përmes kësaj në Ministrinë e Financave ne kujdesemi shumë, prandaj i kemi dhënë mbështetje të madhe Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik në aktivitetin, në reformat që ka bërë në këtë strategji, sepse përmes kësaj reforme, neve na mundësohet një shfrytëzim shumë më efikas i parasë publike”, tha ministri Hoti.

Ministri Hoti, po ashtu theksoi se prokurimi publik është pjesë e rëndësishme e reformave që kërkohet t’i bëjë Qeveria e Kosovës në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

“Jam i lumtur që sot arrijmë të prezantojmë para partnerëve zhvillimor dhe para institucioneve Strategjinë Kombëtare për Prokurim Publik që ka kaluar në Qeveri e cila mundëson një integrim shumë më të mirë të të gjitha aktiviteteve të aktorëve të ndryshëm, duke filluar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, nga OSHP, nga Agjencioni Qendror i Prokurimit dhe gjitha institucionet tjera buxhetore, duke siguruar një sistem që është transparent sa i përket shpenzimit të parasë publike dhe që është efikas dhe llogaridhënës në zbatimin e legjislacionit të prokurimit”, tha ministri Hoti, duke theksuar se Strategjia përmban një vizion të qartë për sektorin publik por edhe objektivat e matshme dhe masat konkrete me afate kohore se kur duhet të realizohet.

Safet Hoxha, kryetar i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, prezantoi në detaje Strategjinë e Prokurimit Elektronik, duke theksuar se ajo ka lindur si rezultat i analizimit të gjendjes së Prokurimit Publik në Republikën e Kosovës, duke përfshirë pozicionin e tij kompleks në administratën publike, duke analizuar resurset humane dhe teknike në fushën e Prokurimit Publik në Kosovë, si dhe zhvillimet ligjore e praktike, opinionin publik, përparësitë dhe mangësitë e sistemit.
“Kjo strategji përmban një vizion me objektiva të qarta, masat dhe hapat e Qeverisë dhe të organeve kryesore të prokurimit publik të Kosovës që synojnë të planifikojnë, të ndërmarrin dhe të arrijnë brenda një periudhë afatmesme me qëllim të avancimit të sistemit të prokurimit publik në Kosovë”, tha kryetari Hoxha.

Shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Ruud Vermeulen, nënvizoi rëndësinë që ka ky proces, që është çelësi kryesor i programit të reformave të strukturuara në kuadër të Marrëveshjes “Stand By” që Qeveria e ka me FMN-në. Ai po ashtu ritheksoi se në projektin në fjalë është punuar nga vera e vitit 2015, duke vlerësuar përkushtimin e Qeverisë që këtë çështje ta bëjë prioritet, në mënyrë që të përmirësohet prokurimi publik dhe vetë transparenca e autoriteteve publike të Kosovës.
“Dëshiroj t’ju uroj për arritjet që deri tash ne i kemi vërejtur. Kemi parë që ka disa sfida që mbesin ende, veçanërisht në rolin që ka zbatimi i prokurimit elektronik, por e di që ka donatorë tjerë dhe agjenci ndërkombëtare janë të përfshira dhe të përkushtuara për ta kthyer këtë në një sukses. Nga ana jonë, ne jemi shumë të kënaqur që kemi parë përmirësimet në vitet e fundit, dhe po ashtu mbesim të përkushtuar edhe në të ardhmen për t’ju ndihmuar në çfarëdo mënyre që mundemi” tha ai.

Përfaqësuesja e Bankës Botërore, Manjola Malo, përgëzoi KRPP-në për punën në hartimin e kësaj strategjie. “E shikojmë si një dokument të plotë dhe një udhërrëfyes shumë të mirë për Qeverinë e Kosovës për katër vitet e ardhshme në fushën e Prokurimit. Në kuadër të marrëveshjes së partneritetit që Banka Botërore ka me Qeverinë e Kosovës, mbështetja për sistemin e Prokurimit Publik do të luaj një rol të rëndësishëm”, tha përfaqësuesja e Bankës Botërore.

Objektivat kryesore të kësaj strategjie u tha se janë: Efikasiteti dhe transparenca; përgjegjësitë dhe llogaridhënia; ngritja e kapaciteteve dhe Harmonizimi i legjislacionit me ligjet e BE-së.

Qeveria e Kosovës përkrahje të parezervë për prokurim publik transparent dhe efikas

Qeveria e Kosovës përkrahje të parezervë për prokurim publik transparent dhe efikas

Të ngjashme