Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati në një intervistë me Zëvendëspresidentin Ekzekutiv të Këshillit Atlantik, Damon Wilson ka folur për situatën në rajon. Ministri është shprehur kundër mundësisë së shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se duhet të jemi të kujdesshëm “të mos hapim kutinë e Pandorës”.
“Mendoj se kjo do të shkonte kundër frymës së të gjitha përpjekjeve të bëra në Ballkan gjatë tre dekadave të fundit. Do të shkonte kundër frymës së Aktit Final të Helsinkit dhe dokumenteve të tjera ndërkombëtare me vlerë ligjore. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm që të mos hapim kutinë e Pandorës për raste të tjera në rajon”.
“Shtetet e Bashkuara, BE dhe NATO kanë investuar shumë në promovimin e multietnicitetit të Ballkanit, për të siguruar që shoqëritë të mbeten të hapura. Unë e di shumë mirë se është një sfidë e vështirë për të ndërtuar shoqëri dhe institucione që i shërbejnë këtij qëllimi, por ne duhet të vazhdojmë në këtë rrugë”, ka thënë Bushati.
Ai foli dhe për reformën në drejtësi, ku tha se është shkaktuar situatë e vështirë, për shkak të vakumit të krijuar në Gjykata dhe Prokurori nga largimi i zyrtarëve të këtyre institucioneve që nuk kanë kaluar vetingun.
Bushati është shprehur se tashmë duhet përqendrim në forcimin e burimeve njerëzore në nivele më të larta të këtyre institucioneve.
“Gjërat po përparojnë mirë, veçanërisht me procesin të ri të vlerësimit të gjyqësorit. Të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët [e Shqipërisë] në nivele të ndryshme po kalojnë nëpër një proces verifikimi. Ky proces i ri po vendos gjithashtu një shembull për vendet e tjera në rajon, veçanërisht pasi BE po fillon një procedim disiplinor kundër shteteve anëtare për shkeljet në sundimin e ligjit dhe të standardeve të të drejtave të njeriut”.
“Po ashtu, krijon një precedent për vendet që ashtu si ne janë në rrugën e anëtarësimit. Është një reformë e madhe dhe po shkakton një situatë të vështirë, sepse [largimi] i gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk kalojnë testin e verifikimit [është] duke krijuar një vakum në ato institucione. Në këtë drejtim, duhet të përqendrohemi në forcimin e burimeve njerëzore kur bëhet fjalë për nivelet më të larta të gjyqësorit dhe prokurorisë. Ne besojmë se këto reforma do të kenë një efekt domino edhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, është shprehur ministri Bushati.
Referuar zhvillimeve në rajon, Bushati thotë se angazhimi i SHBA-ve në Ballkan është jetik për të siguruar që mos të ketë asnjë pengesë në përpjekjet e Greqisë dhe Maqedonisë për të normalizuar marrëdhëniet mes tyre, të cilat në vijim do t’i hapin rrugën kësaj të fundit për t’iu bashkuar NATO-s.
Top Channel