Një 25 vjeçari të mërkurën në Ferizaj i morri jetën një i mitur (17 vjeçar) me armë zjarri.
Përpos në vrasje si kjo, armët janë përdorur edhe në rastet e grabitjeve që janë shpeshtuar së fundmi në Kosovë.
Të dyshuar edhe nëpër këto raste shumicën dërmuese të herave kanë qenë të rinjtë.
Se a janë me leje apo jo armët që po përfundojnë në duart e të rinjve, këtë do ta verfikojë Ministria e Punëve të Brendshme përmes procesit të legalizimit të tyre, njofton Klan Kosova.
Detaje për këtë fushatë ka dhënë për klankosova.tv. zëvendësministri i Brendshëm, Izmi Zeka.
“Që nga 17 dhjetori 2018 deri më sot në ministri janë paraqitur/dorëzuar, 365 kërkesa për legalizim të armëve, ndërsa ka edhe të tjera që janë paraqitur në kompanitë kompetente dhe ende nuk janë dorëzuar në MPB”, ka thënë zëvendësministri i Brendshëm, Izmi Zeka.
Periudha e legalizimit të armëve ka nisur në dhjetor të 2018-ës dhe do të mbarojë gjashtë muaj pas.
“Ne shpresojmë se për periudhën gjashtëmujore do të kemi kërkesa të konsiderueshme për legalizim, në kuadër të këtij procesi kemi edhe kampanjën informuese me intervista, me pjesëmarrje të ekspertëve nëpër këshillat komunale të sigurisë në bashkësi që mbahen në shumicën e komunave të Republikës së Kosovës, përmes rrjeteve sociale, spoteve televizive etj”, është shprehur ai.
Por cila grupmoshë ka më shumë armë në duar, nga ministria thonë se nuk mund të tregojnë moshën e aplikantëve.
Për ekspertin e sigurisë, Drizan Shala, që armët të hiqen nga duart e qytetarëve – veçanërisht nga të rinjtë, MBP duhet të ngris moshën që lejon posedim të armëve nga 21 në 30 vjet.
“MPB duhet ta mbajë nën kontroll dhënien e lejeve për posedim të armëve dhe krahas sa t’i eliminojë mbi 250 mijë armë nga duart e qytetarëve”, ka thënë Shala për klankosova.tv.
Ai thekson se Ministria e Brendshme të cilën e drejton Ekrem Mustafa po synon që përmes procesit të legalizimit të evidentojë numrin e armëve dhe që disa prej tyre t’i vë nën kontroll.
Por që MPB për Shalën ka dështuar diku.
“MPB-ja (niveli menaxhues) ka dështuar në pjesën e informimit se si duhet të shkojë ky proces mbi legalizim të armëve”.
“Ministria së bashku me OSCE duhet që të rihartojnë strategjinë deri më tani të përdorur dhe të vihen në pah mangësitë e mundshme dhe kështu të përmirësohet ajo”.
“Në duart e qytetareve në një raport thuhet që janë mbi 250 mijë armë të vogla dhe kjo shifër është tejet shqetësuese për arsye që në rend të parë nuk dihet që në duart e kujt janë dhe në anën tjetër sa nga këto armë janë pjesë e veprave penale të kryera deri më tani si formë e përdorimit të tyre”, është shprehur Shala.
Në bazë të statistikave të MPB-së, në Kosovë tash gjinden rreth 100 mijë armë më pak nga koha e hulumtimit paraprak në të cilin kanë qenë rreth 360 mijë armë ilegale.
Në zvogëlimin e numrit të tyre Policia e Kosovës ndikon duke konfiskuar një mijë e 500 armë çdo vit dhe duke bërë edhe shkatërrimin e tyre.