Kryeministri Avdullah Hoti, së bashku me ministren e Financave, Hykmete Bajrami, në një konferencë për medie, kanë njoftuar se ka filluar zbatimi i vendimit të Qeverisë për mbështetje direkte për sektorin privat nga Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike, raporton Ekonomia Online.
Hoti njoftoi se 15 mije e 500 biznese të cilët i kanë pasur të dhënat e përditësuara i kanë marrë sot 37.30 milionë euro. Ndërsa, shuma prej 60 milionë eurosh është në dispozicion dhe do të shpërndahet gjatë ditëve në vijim.
“Subvencioni shkon direkt në llogaritë bankare të bizneseve”.
“Kam kënaqësinë të njoftoj se ka filluar zbatimi i vendimit të Qeverisë i datës 28 shtator 2020 me të cilën parashihej mbështetje direkte për sektorin privat nga Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike. Masat e parapara me këtë vendim të 28 shtatorit janë punuar në bashkëpunim me bizneset, e asociacionet e bizneseve. Kriteret kanë qenë të qarta, pa procedurë të aplikimit, por të qarta e objektive”.
“Në listën finale për pakon në vlerë 60 milionë euro janë kualifikuar 36.679 biznese. Më së shumti do të përfitojmë bizneset e vogla. Firmat deri në dhjetë punëtorë 45.5 për qind, 11-20 punëtorë 26.67 për qind e kështu me radhë. Falënderojë Komisionin që ka përfunduar finalizimin e kësaj liste në kohë rekorde”, ka thënë Hoti.
Sipat tij, Kryeministri tha se vendimi i Qeverisë siguron një gjithëpërfshirje të bizneseve në kuadër të Pakos për Rimëkëmbje.
“Unë jam i bindur se do ta përmbyllim këtë vit me pasoja të vogla”, theksoi kryeministri.
“Edhe në bujqësi është duke u finalizuar procedura për subvencionim prej 24 milionë euro”, tha Hoti.
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka thënë se është masë që po implementohet në kohë rekorde. Ai tha se tani janë në proces 15 mijë e 500 ndërmarrje. Pritet që deri në nesër të kryhen të gjitha pagesat.
“Tani kemi marrë numrin e të punësuarve dhe mjetet u shkojnë bizneseve për t’i paguar pagat për punëtorë. Ne kemi ndarë 60 milionë për punëtorët. Tani pjesa më e madhe ka shkuar te bizneset e vogla”.
Ministrja Bajrami tha se sot e nesër do të kryhen pagesat për bizneset.
Ajo ka bërë të ditur bizneset janë mbështetur me rreth 290 euro për punëtor.
“Për shkak të gabimeve të shumta gjatë aplikimeve jemi vonuar kaq shumë. Tani i kemi në proces mbi 15 mijë ndërmarrje, sot pasdite e nesër paradite pritet të kryhen të gjitha këto pagesa”, ka thënë Bajrami.
“Sot kemi pasur disa raste kur janë kthyer qindra pagesa për shkak të xhirollogarisë gabim. 60 milionëshi është alokuar. Kemi marr si indikator numrin e të punësuarve, mjetet u shkojnë bizneseve si lehtësim. Mbështetja për një të punësuar do të jetë rreth 290 euro, kjo varësisht prej numrit të punëtorëve”.