Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, sot ka shpallur Aktgjykimin në çështjen penale ndaj të akuzuarve F.H dhe T.T., thuhet në komunikatën drejtuar medieve.
Ata janë akuzuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Marrje e ryshfetit nga neni 428 par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
I akuzuari F.H, për veprën penale Marrje e ryshfetit nga neni 428 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 (dy) vite në të cilin dënim i llogaritet koha e kaluar në paraburgim prej dt.16.08.2016 e deri me datën 07.12.2016, dhe nën masën e arrestit shtëpiak prej dt.07.12.2016 deri me datën 14.02.2017 dhe me dënim me gjobë në shumën prej 25.000 euro, i cili dënim do të ekzekutohet pas 15 ditë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
I akuzuari T.T, për veprën penale Marrje e ryshfetit nga neni 428 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) viti i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën kohore prej 2 (dy) vitesh i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale dhe me dënim me gjobë në shumën prej 8.000 euro, i cili dënim do të ekzekutohet pas 15 ditë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Të akuzuarit F.H dhe T.T për veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, janë liruar nga akuza, për shkak se nuk janë gjetur prova se të njëjtit kanë kryer këtë vepër penale.
Gjykata paraprakisht ka gjetur se të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtar në Agjencinë Kosovare të Privatizimit në bashkëkryerje kishin kërkuar ryshfet nga i dëmtuari R.M rreth heqjes se barrës tatimore në ATK me qëllim të përfitimit material të tyre.
Palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.