Komuna e Deçanit vitin e kaluar nuk kishte shlyer obligimet që i kishte pasur ndaj punëtorëve të angazhuar me kontratë mbi vepër. Janë 29 punëtorë që Komuna nuk ua kishte paguar të gjitha pagat. Shumicës prej këtyre ua ka paguar vetëm nga një pagë, në vend që të paguheshin nga 6 paga.
Meqenëse Komuna edhe dy muajt e parë të vitit 2018 nuk ua kishte paguar borxhin, të 29-tit kishin angazhuar një avokat të përbashkët dhe kishin ushtruar padi ndaj Komunës në muajin mars për kompensim të të ardhurave personale, sipas kontratave të punës për kohë të caktuar, shkruan sot Koha Ditore.
Paditësit kanë qenë të angazhuar për shërbime të veçanta në disa drejtori komunale dhe padisë ia kishin bashkëngjitur edhe vërtetimet e drejtorive ku kanë punuar, se i kanë përmbushur detyrimet e tyre kontraktuese.