Zyra e BE-së në Kosovë dhe Ministria e Integrimit Evropian (MIE) kanë bërë ndarjen e bursave për 40 studentë kosovarë për studime master në universitete të BE-së, pjesë e Skemës së të Rinjve, raporton Ekonomia Online.
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka thënë se ky është një nga programet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian në Kosovë.
“Ky është një nga projektet më të rëndësishme të financuara nga BE-ja në Kosovë. Ngritja e kapaciteteve në shërbimin civil është ndër parakushtet kryesore të përmbushjes së agjendës së MSA-së. Më shumë se 300 studentë janë dërguar në studime jashtë vendit dhe ata tashmë kontribuojnë në pozita të ndryshme. Tashmë janë më shumë se 50 studentë që janë duke studiuar dhe i presim që të punësohen në Kosovë. Këtë vit do të dërgohen 40 studentë që pritet gjithashtu të kthehen dhe të kontribuojnë në vend. Projekti si i tillë do ta ketë përkrahjen tonë. Ky është një projekt unik sepse arrin përmbushjen e menjëhershme të disa qëllimeve”, tha Hoxha.
Luigi Brusa nga Zyra e Bashkimit Evropian tha se përmes këtyre bursave nuk përfitojnë vetëm studentët, por edhe Kosova si shtet.
“Ndjehem shumë mirë kur jam në mesin e këtyre njerëzve të rinj. Edukimi për ne është një nga fushat më të rëndësishme dhe një nga prioritetet që jemi duke e përdorur në Kosovë, e cila është rinia. Ju jeni ushtria prej 40 studentëve që do të shkoni dhe keni mundësi të mira që të mësoni në kushte moderne”.
“Kur të vini në Kosovë ju do të punoni në ministri dhe në Institucionet e vendit. Këto bursa do të jenë shumë të dobishme për të ardhmen dhe zhvillimin e vendit. Puna juaj do të sfidohet sepse do të përballeni me probleme të ndryshme dhe do të kuptoni më mirë se çka po ndodhë në secilin sektor që ju punoni”, tha ai, raporton EO.
Studentja Diellza Mujaj e cila ishte përfituese e bursës ka thënë se bursat janë mundësia më e mirë që studentët mund të shfrytëzojnë.
“Njerëzit shumë shpesh humbasin mundësi të mira për të studiuar jashtë. Këto bursa i shoh si mundësi unike për studentët që të përfitojnë nga shkollimi në Evropë”, u shpreh ajo.
Rektori i Universitetit “Hasan Prishtina”, Marjan Dema, ka thënë se pret që bursistët të kthehen si lider dhe ta ndihmojnë Kosovën.
“Në emër të 45 mijë studentëve ju falënderoj për ketë donacion. Unë pres që bursistët të kthehen si lider të mirë që t’i bëjnë ndryshimet që Kosova ka nevojë”, tha Dema.