Sektori Kundër Dhunës në Familje i Policisë së Kosovës dhe Drejtoria e Policisë në Bashkësi dhe Preventivë organizuan konferencë me rastin e 16 ditëve të Aktivizimit të Dhunës Gjinore, me temën “Roli i burrave në parandalimin e dhunës në familje”
Zëvendës Drejtori i Policisë së Kosovës, Naim Rexha tregoi se kanë ngritur një sektor të veçantë për t’iu ofruar ndihmë personave që pësojnë nga dhuna në familje, raporton Ekonomia Online.
“Dhuna në familje është më e përhapura e cila ndikon jo vetëm tek ata që abuzohen por ka një efekt negativ tek anëtarët e tjerë të familjes, fqinjësisë dhe bashkëpunëtorëve. Fëmijët që rriten duke përjetuar dhunën në familje janë më të prekurit na ky krim”
“Në PK kemi ngritur sektor të veçantë për t’iu ofruar viktimave mbrojtje dhe siguri duke ndihmuar komunitetet për të parandaluar dhunën dhe për të ndihmuar personat që shkaktojnë dhunë për ta ndryshuar sjelljen e tyre”, u shpreh Rexha.
Në anën tjetër Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu tha se Kosova ka shënuar përparim në këtë aspekt, por ka ende punë për të bërë. Derisa bëri të ditura shifrat e anketimeve në nivel botëror sa i përket dhunës në familje, se 41.4 për qind e burrave pajtohen se ka raste kur gratë e meritojnë të rrihen.
“Dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje nuk janë një problem i izoluar në Kosovë. Dhuna ndaj grave është në nivel botëror. Gratë me aftësi të kufizuara, gratë në zonat urbane janë më të cenueshme. Një nga 5 burrat është anketuar se kanë dhunë nga babai i tyre. 41,4 për qind pajtohen e burrave se ka raste kur gratë e meritojnë që të rrihen dhe kjo është shokuese. 1 në 10 burra ka goditur gruan me grusht dhe ata thonë që kjo gjë të ndodh pse jo”
“Burrat e kanë më të vështirë të flasin për këtë dukuri por është mirë të përfshihen në parandalimin e dhunës në familje. Anketa nga ky vit tregon se kemi shumë punë për të bërë”, tha Braathu.
Kryeshefja e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia, tha që Kosova është mbrapa përparimit për ndalimin e dhunës ne familje por që sipas saj duan që ta zëmë hapin.
“Dhuna në familje është brengë e përhershme e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Pushteti lokal duhet të marr përgjegjësitë e veta. Qendra për Punë Sociale është duke u ballafaquar me kriza të ndryshme. Ndihma për viktimat nuk duhet të vijë vetë nga qendra por edhe pushteti lokal i cili ka barrën kryesore për këtë qendër”
“Nëse nuk ka reagim që dhuna në baza gjinore nuk duhet të ndodh ne do të përballemi me shumë viktima. Nëse nuk e ngrisim zërin ndaj teksteve shkollore siç është libri i Edukatës Qytetare ku thotë për pavarësinë e gruas që e sheh të rrezikshme për lidhjen mes bashkëshortëve që çon në divorce, ne jemi duke dështuar për arsimimin e ardhshëm të Kosovës”, tha Gusia.