Qytetarët të pakënaqur me gjendjen ekonomike dhe politike 11 vjet pas Pavarësisë

Prishtinë | 18 Shk 2019 | 09:28 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Edhe këtë vit, ditëlindja e 11-të e shtetit tonë po i gjenë të pakënaqur qytetarët e saj me gjendjen ekonomike e politike të Kosovës.

Ata thonë se Kosova nuk ka përparuar me proceset e saj të cilat i ka nisur qe shumë kohë, pasi që njerëzit që janë në krye të shtetit më shumë kanë punuar për interesat e tyre personale se sa të vendit, shkruan Ekonomia Online.

Jakup Neziri, qytetar nga Prishtina, thotë se edhe 20 vjet pas lufte gjendja në Kosovë vazhdon të mbetet e pakënaqshme. Sipas tij vendi dhe qytetarët tanë nuk e kanë merituar këtë gjendje.

“Kjo është një fitore e shumë pritur e popullit shqiptar, një fitore shekullore që na ka munguar nga pushtuesit e ndryshëm, më në fund u kurorëzuam me liri dhe pavarësi. Sa i përket situatës që ka kaluar gjatë kësaj periudhe 20 vjeçare, situata është jashtëzakonisht e keqe, e qytetarët janë jashtëzakonisht të pakënaqur dhe askush se ka meritu këtë gjendje. Skena politike në Kosovë ka qenë një skenë e njerëzve më të papërgjegjshëm dhe pandërgjegjshëm, nuk kanë shërbyer për interesa qytetare, por u kanë shërbyer interesave klanore dhe kriminale. E kanë degraduar shoqërinë dhe vullnetin e qytetarëve dhe kombit, në përgjithësi ne nuk është dashur ta kishim këtë gjendje”, tha Neziri për Ekonomia Online.

E Adem Veseli, një tjetër qytetar shprehet më optimist. Ai thotë se Kosova ka përparuar sidomos në krahasim me situatën e para 20 vjetëve, por sipas tij bllokada në procese të rëndësishme, të brendshme të vendit nuk është aspak e mirë.

Ai i bën kërkesë kryeministrit të vendit Ramush Haradinaj që ta heqë taksën e vendosur për shtetin serb, pasi që sipas tij, kjo duhet të bëhet në të mirë të proceseve dhe integrimit të vendit.

“Ka përparim dhe nuk ka krejt zhgënjim, por ka mund të jetë edhe më mirë me pas qenë punësimi më i mirë poashtu edhe privatizimi, rinin t’i largojmë nga rruga, por është evidente që ka përparime të mëdha, nuk është krejt zi si e shohin njerëzit, pasi që infrastruktura është më mirë, mirëpo vetëm punësimi dhe të luftohet korrupsioni më tepër”, thotë ai.

“… Arritje e këtij viti është Ushtria, themelimi i Ushtrisë është një e arritur e lartë që na ka gëzu të gjithëve dhe këto proceset e fundit, pra bllokada që është bërë me vendosjen e taksës. Kryeministri duhet me largu këtë për shkak të proceseve për shkak të miqësisë që e kemi me Amerikën, nuk ka shqiptar që nuk dëshiron me ia vendosë taksën këtyre, mirëpo nuk guxojmë të kthehemi mbrapa dhe ti bllokojmë proceset pasi që për neve është shumë e dhimbshme, do apeloja edhe tek kryeministri ta largojë taksën për hir të proceseve dhe të integrimit të vendit”, u shpreh ai.

E deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Ali Lajçi, thotë se ditës së Pavarësisë duhet t’i ipet një rëndësi e veçantë pasi sipas tij atë e kanë krijuar qytetarët e Kosovës.

“Kosova ka sublimuar një të drejtë të sajën të lirisë dhe të Pavarësisë dhe ka arritje sepse pavarësisht menaxhimeve të këqija e korruptive, mund të themi se shqiptarët, por edhe Kosova është në një zonë të interesit të mirë. Ditës së Pavarësisë duhet t’i ipet një madhështi pasi atë e kanë krijuar vetë qytetarët e Republikës së Kosovës, vullneti i tyre është aty dhe duhet ta respektojmë dhe duhet t’ia japim një kremtë si e meriton”, tha ai për Ekonomia Online.

Lajçi tha se fajtorët kryesorë për keqmenaxhimin e vendit janë vetë strukturat shtetërore, madje sipas tij ata kanë ndikuar që të rinjtë tanë të kërkojnë një jetë më të mirë në vendet e tjera.

“Këto janë të qarta, fajtore për keqmenaxhimin e shtetit janë strukturat në shtet dhe ato struktura normalisht e kanë vlerësimin që i bëhet nga qytetarët, në këtë rast ne nuk kemi një funksionim të shtetit ligjor, ka inkriminime të ndryshme ekonomike, nuk kemi sjellë një shpresë për punësi për brezat e rinj në vendin tonë, të gjithë gati kanë synim daljen jashtë Kosovës, prandaj duhet një ndryshim i jashtëzakonshëm dhe duhet që ky shtet të funksionoj më mirë”, tha ai.

Kosova këtë vit ka festuar 11-vjetorin e shtetësisë së saj, derisa ende po përballet me fazën e dialogut me Serbinë e cila ka për synim njohjen reciproke.

Të ngjashme